Lajme

Qeveria ndan 100 mijë euro për punëtorët e sektorit publik që s’i kanë marrë shtesat prej 100 euro

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

100 mijë euro janë ndarë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës për punëtorët e sektorit publik të cilët nuk kanë marrë mbështetje financiare prej 100 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, tha se ndarja prej 100 mijë eurosh është në kuadër të shumës prej 7.3 milionë euro dhe përfshinë mbështetjen për kategorinë që kanë mbetur pa u dalë shtesat në raundin e parë.

“Ky propozim-vendim përmban ndryshim-plotësimin e vendimit paraprak që kishte të bënte me ndarjen e mjeteve për mbështetjen e të punësuarve në sektorin publik dhe bëhet fjalë për disa prej kategorive që kanë mbetur pa u shqyrtuar në raundin e parë dhe kësisoj duhet të ketë mjete shtesë prej 100 mijë euro pra nga ndarja prej 7.3 milionë euro duhet të bëhet 7.4 milionë euro ky është plotësim-ndryshimi në mënyrë që të përmbushen të gjitha obligimet që dalin sipas vendimit” – tha Murati.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës për pakos të Ringjalljes Ekonomike ka dhënë shtesë 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit privat dhe publik.

Lexo edhe:
Kurti: Nga 100 euro shtesë në prill për punëtorët e sektorit privat, publik, pensionistët dhe studentët
Ilustrim

Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe anëtarët e bordeve ndërmarrjeve publike “Trainkos”, KRU “Hidroregjioni Jugor”, Bifurkacioni dhe KRU ‘Radoniqi’.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për shkarkimin e tre anëtarëve të Bordit të ndërmarrjes publike “Infrakos”.

Afrim Mehmetaj, Selatin Retkoceri dhe Ilir Zhita janë tre emrat e propozuar për shkarkim.

“Bordi i ‘Infarkos’ ka ngecur në realizimin e objektivave afariste. Anëtarët e Bordit kanë bërë shkelje të detyrave fidusiare, duke mos adresuar me efikasitetin e duhur një mori problemesh që përballet kjo ndërmarrje”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka propozuar që të emërohet një Bord i përkohshëm që përbëhet nga Dukagjin Kastrati kryesues, Besarta Zuka, Shpend Gjugja dhe Genc Hondozi anëtarë./Shqip.com