Lajme

Qeveria merr vendim për ndalimin e eksportit për produktet esenciale

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e eksportit për produktet eseciale si  mielli, vaji, sheqeri dhe kripa.

Ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari theksoi se sado eksporte të vogla të jenë këto mund të rrezikojnë furnizimin e popullatës në të ardhmen.

“Në bashkëpunim dhe komunikim të afërt me Doganën e Kosovës, me takime të shpeshta me drejtorin e Doganës dhe ekipin e tij, duke na përcjellur edhe në baza ditore raportet e gjeneruara automatikisht për importin e derivateve të naftës, produkteve bazike ushqimore si dhe për njoftimet për eksportin e disa mallrave esenciale, sado eksport i vogël të jetë mund të rrezikojnë tutje furnizimin e popullatës tonë në të ardhmen. Prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë ndalimin e përkohershëm të eksportit dhe të rieksportit të disa produkteve themelore agroushqimore”, tha Hajdari në mbledhjen e Qeverisë.

Tutje, ajo shtoi se vendimi i propozuar ndalon eksportin dhe rieksportin e produkteve si drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripa. Ky vendim u miratua me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim./Shqip.com