Lajme

Qeveria me masa emergjente në furnizimin e energjisë për sezonin e dimrit

Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrit këto masa janë krijuar me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit.

“Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Masat e ndërmarra do të mbesin në fuqi 60 ditë pas ditës së aprovimit nga Kuvendi i Kosovës i cili edhe mund ta vazhdojë këtë afat.

“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”

 Vendimi për këto masa është marrë në mbledhjen e 91 të Qeverisë së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Njëkohësisht, Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ministria e Ekonomisë janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit./Shqip.com