Qeveria mban mbledhje nga ora 16:00, pritet vendim për masat e reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës do të mledhet sot nga ora 16:00, njofton Shqip.com.
Në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar pritet të merret vendimi për masat e reja anti-COVID, të cilat janë paralajmëruar pas takimeve të shumta të ministrit të Shëndetësisë me institucione përkatëse.
Sipas masave të cilat tashmë janë diskutuar, pritet që masat të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator, ndërsa është paraparë edhe rikthimi i kufizimit të lëvizjes.
Reduktimi i kapaciteteve të punës së gastronomisë e shtimi i punëtorëve shëndetësore dhe inspektorëve, janë disa nga masat tjera që pritet të zyrtarizohen sot.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, dje i ka thënë Gazetës Shqip.com, se është propozuar që nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të vendoset ora policore e që gastronomia të punojë deri në orën 21:30.
“Mësimi po shtyhet deri më 13 shtator. Gastronomia do të punojë deri në orën 21.30. Ndërsa do të vendoset edhe ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00. 1 mijë e 16 punëtorë shëndetësorë dhe inspektorë do të shtohen. Kërkesa e komunave rreth furnizimit me barna do te plotësohet, pra 92 për qind e kërkesave par furnizim do të plotësohen”, ka thënë ai.
“Ne si Asociacion kërkuam shtimin e inspektorëve komunal që masat të zbatohen si dhe hapjen e qendrave të reja të vaksinimit, ministri tha se kjo varet prej numrit të vaksinave. Kërkesa jonë ishte edhe që të bëhet decentralizimi i rekrutimit të personelit shëndetësorë”, ka deklaruar Ibrahimi. /Shqip.com