Lajme

Qeveria i reagon Haradinajt: Nuk kemi pranuar kërkesë për ndërrimin e protezave për invalidët e luftës

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës përmes një reagimi publik i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sa i përket protezave për invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ka thënë se nuk ka pranuar kërkesë për sa i përket protezave për invalidë veteranë e të cilën nuk e ka trajtuar.

Nga kjo zyrë thonë se kërkesa e fundit në lidhje me protezat për invalidë veteranë ka ndodhur gjatë qeverisjes së kaluar.

Sipas tyre, në atë kohë është ndarë buxhet dhe shoqata e invalidëve veteranë është në zbatim e sipër të asaj kërkese.

“Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së është e hapur për shqyrtim dhe trajtim të çfarëdo kërkese, dhe çështjet e këtilla si ofrimi i protezave për invalidë veteranë do të konsiderohen ashtu siç edhe janë, esenciale”.

“Synim e zotim i joni është institucionalizimi i këtyre shërbimeve, në mënyrë që të ketë organizim e strukturim të ofrimit të tyre dhe kujdesi për invalidët veteranë të jetë maksimal”, thuhet në komunikatën për media./SHQIP.com