Lajme

Qëndrimi i Komisionit Evropian rreth çështjes Beleri

Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Komisioni Evropian përsëriti qëndrimin se mosmarrëveshjet dypalëshe mes Shqipërisë e Greqisë, nuk duhet të vonojnë procesin e anëtarësimit.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero i ritheksoi këto qëndrime në një konferencë për shtyp të martën, kur u pyet, në mënyrë indirekte, për burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe nëse Komisioni e sheh atë si një çështje rreptësisht dypalëshe apo që duhet të shqetësojë edhe BE-në.

Pisonero nuk pranoi të komentojë për çështjen Beleri, duke thënë se Komisioni nuk komenton çështjet gjyqësore në hetim, por po e ndjek atë, raporton gazeta greke Kathimerini.

Ajo iu referua gjithashtu kërkesës së Bullgarisë, që Maqedonia e Veriut të njohë ekzistencën e një pakice bullgare në kushtetutën e saj.

Zyrtarja e BE tha se qeveria aktuale është e përkushtuar për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Opozita e Maqedonisë së Veriut, e favorizuar për të fituar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të së mërkurës, ka denoncuar “kapitullimin” e qeverisë ndaj kërkesës së Bullgarisë.

Vetëm 3,506 njerëz nga 1,836,713 popullsia e Maqedonisë e përshkruan veten si bullgarë në regjistrimin e vitit 2021.

/Shqip.com