Lajme

Qalaj-Nagavcit: A pajtoheni që mësimdhënësit janë analfabetë ashtu siç kanë deklaruar eksponentët e afërt me ju

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës lidhur me gjendjen e sistemit të Arsimit në Kosovë.

Qalaj në fjalën e tij para deputetëve ka parashtruar pyetje në drejtim të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci.

“Ministre a pajtoheni se mësimdhënësit tanë janë analfabetë, ashtu siç kanë deklaruar eksponentët e afërt me ju apo qeverinë dhe ndonjë bashkëpartiak i juaji e deputet. Nëse mësimdhënësit janë analfabetë siç po thonë eksponentët e afërt me ju, atëherë cilat janë masat që do ti ndërmerrni ndaj universiteteve publike, sidomos ndaj UP-së, duke e ditur se gati 100 për qind e këtyre mësimdhënësve kanë diplomuar aty”, tha Qalaj

Ndaj deklarave të Qalaj ka ardhur edhe reagimi nga Ministrja e Arsimit.

Nagavci është shprehur se I nderuar deputet ka përfunduar koha kur ju mund të flisni çfarë të keni dëshirë.

“I nderuar deputet ka përfunduar koha kur ju mund të flisni çfarë të keni dëshirë, në mënyrë që të mendoni se i bindni të tjerët përtë pavërtetat. Nëse ke ndonjë dyshim adresoje, njëjtë qysh i kam adresu unë dyshimet për keqpërdorime. Para se të jem ministre, unë kam qqenë mësimdhënësve, kam punuar më shumë se 20 vite si mësimdhënësve, jam vajzë e dy mësimdhënësve. Kam pasur fatin e mirë që gjithë jetën time të jem e rrethuar me mësimdhënës të mirë që kanë ndikuar në formësimin tim”, tha Nagavci.

Respekt e mirënjohje për pjesën dërrmuese të mësimdhënësve, keqardhje për situatën në të cilën na kanë sjellë ndërhyrjet brutale, në radhë të parë të PDK-së e pastaj të tjerëve, në arsim, ka shtuar Nagavci.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth grevës së përgjithshme në arsim.

Kurti, në Kuvend tha se dialogu me sindikatat nuk ka munguar por vlerëson se kërkesa e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është e parealizueshme.

“Takimin e fundit që e pata nuk ishte me BSPK apo me ndonjë degë të sindikatave, por me Këshillin Grevist dhe është bërë me kërkesë timen, pra nuk është mungesë e dialogut apo arrogancë”, tha ai.

Kuti tha se kërkesat e sindikatave aktualisht përbëjnë shantazh dhe kërcënim derisa Ligji i Pagave është në proces të hartimit.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave./Shqip.com