Qalaj: Gjendja në veri të Kosovës është e tensionuar

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se përkundër që pamja e jashtme në Veri të Kosovës duket e qetë, gjendja është e tensionuar, përcjell Shqip.com.
Sipas tij, bllokimi i rrugëve atje nuk mund që të vazhdojë edhe për shumë kohë, duke shtuar barrikadat duhet të largohen sa më shpejtë.

Qalaj thotë se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për të hapur rrugën atje.
“Intervenimi ose jo i policisë, besoj se duhet të bëhet atëherë kur të pjekën kushtet. Për momentin jam shumë i sigurt që ata janë duke pritur një sinjal nga qeveria e Kosovës, e mos të harrojmë që është vetëm Policia e Kosovës ajo që mund të bëjë intervenimin për hapjen e rrugës. Nuk është një operacion i lehtë… por policia i ka kapacitetet. Sa është urgjente, varet prej zhvillimeve politike që janë duke ndodhur e që ne ndoshta nuk i dimë. Mirëpo konsideroj që në pafundësi s’mund të qëndrohet në këtë mënyrë, me bllokim të rrugëve”, tha ai për KP.
Ai thotë se serbët që po qëndrojnë që nga e hëna në pikat kufitare, janë duke synuar përshkallëzimin e situatës, teksa shton se Policia e Kosovës është ajo që po tregohet korrekte dhe nuk po bie në provokimet qëllimkeqe të serbëve.
“Unë konsideroj që përtej kësaj fasade që duket e qetë situata është shumë e tensionuar, meqenëse ju e dini që ata njerëz që janë aty duken ndenjur shumica prej tyre nuk janë edhe me dëshirën e tyre janë të detyruar nga struktura qoftë komunale apo edhe ato tjera paralele të sistemit serb dhe konsideroj që sidomos tash fushata e fundit propaganduese e Serbisë në lidhje me disa raste që kanë ndodhur, kinse Policia e Kosovës po e maltreton dikënd nëpër rrugët nëpër komunat me komunitet serb, besoj që nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveç tentativës për të paraqitur dhe me e tensionu situatën sa më shumë”, shtoi ai.
Tutje, ai thotë se pavarësisht propagandës nga Serbia për nxitjen e presionit ndërkombëtar, nuk duhet të ketë tërheqeje nga Qeveria e Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.
Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Shqip.com