Pushtimi i Ukrainës do të tronditë botën, thotë Boris Johnson

Tronditja e çdo pushtimi të Ukrainës nga Rusia do të “jehonte në mbarë botën”, u tha Boris Johnson liderëve botërorë.
Ai shtoi se “ne duhet të jemi të sinqertë e të palëkundur” për situatën në Ukrainë dhe nuk duhet “të nënvlerësojmë gravitetin e këtij momenti”.
Në një fjalim në konferencën për siguri në Mynih, Johnson tha se nuk e di se çfarë synon presidenti rus, Vladimir Putin, por “shenjat janë të zymta”, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.
“Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku,” tha ai.
Vendet perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia mund të pushtojë menjëherë Ukrainën, me mbi 130,000 trupa të saj pranë kufirit.
Ata akuzojnë Rusinë se po përpiqet të organizojë një krizë të rreme në një rajon separatist lindor të Ukrainës për t’i dhënë asaj një arsye për të pushtuar.
Por, Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plane për të pushtuar, duke thënë se trupat po kryejnë stërvitje ushtarake në rajon si dhe duke akuzuar Perëndimin për “histeri”.
Johnson theksoi se Mbretëria e Bashkuar ende shpreson që diplomacia dhe dialogu do të kenë sukses në zgjidhjen e krizës.
Duke kërkuar unitet mes aleatëve perëndimorë të Mbretërisë së Bashkuar, ai tha: “Sa herë që ministrat perëndimorë kanë vizituar Kievin, ne kemi siguruar popullin e Ukrainës dhe udhëheqësit e tyre se qëndrojmë katërshe pas sovranitetit dhe pavarësisë së tyre.
“Sa të zbrazëta, sa të pakuptimta, sa fyese do të dukeshin ato fjalë, nëse pikërisht në momentin kur rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e tyre, ne thjesht shikojmë nga larg”.
Nëse Ukraina do të pushtohej, Johnson tha se “ne do të dëshmojmë shkatërrimin e një shteti demokratik, një vend që ka qenë i lirë për një brez, me një histori krenare zgjedhjesh”.
Ukraina është një ish-republikë sovjetike me lidhje historike me Rusinë dhe ndan kufij me BE-në dhe Rusinë.