Publikohet raporti për Urën e Ibrit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se kanë pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibr.
Durmishi ka thënë se në raport është konkluduar se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile, funksionale dhe se mund të përdoret prë shfrytëzim pa asnjë kufizim për ngarkesë.
“Struktura e urës e trafikut rrugor, mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, ka një strukturë stabile, të qëndrueshme dhe funksionale përgjatë kohës së shfrytëzimit, pothuajse ashtu si dhe është projektuar dhe ndërtuar, dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë nga ato të parapara me projekt (të kohës kur është ndërtuar) dhe ka kapacitet të mjaftueshëm edhe për ngarkesat projektuese sipas modelit të ngarkesave të parapara me standardin evropian për ngarkesa EC-1, ose EC-1991, pjesa-3”, thuhet në konkluzionet preliminare.
Durmishi ka thënë se po presin edhe raportin final, për të pasur rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik.
“Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë. Raporti që kemi pranuar sot është preliminar dhe pas të cilit do të presim edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik”, ka shkruar Durmishi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
/Shqip.com