Lajme

Pse u shkarkua pas një viti Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi?

Nagip Krasniqi
Nagip Krasniqi

Pushteti ka hequr dorë zyrtarisht nga Nagip Krasniqi. Të mërkurën, ai është liruar nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, pozitë që iu ruajt për më shumë se një vit, madje edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim. Konkursi për Kryeshefin e ri të KEK pritet të shpallet së shpejti.

Korporata Energjetike e Kosovës ia ka shuar shpresat Nagip Krasniqit për t’u kthyer në krye të kësaj ndërmarrje. Pas pezullimit njëvjeçar që erdhi si pasojë e arrestimit të tij, Bordi i Drejtorëve është mbledhur të mërkurën dhe e ka shkarkuar nga kjo pozitë, duke i hapur kështu rrugë shpalljes së konkursit për Kryeshefin e ri.

Vendimi vjen një muaj pasi ndaj Krasniqit ishte hequr masa e ndalimit të afrimit në KEK apo dëshmitarëve, që ishte pengesë që i njëjti të kthehej në vendin e punës.

Disa orë para se Krasniqi të lirohej nga detyra, avokati i tij, Vyrtyt Ibrahimaga, tha se me heqjen e kësaj mase, nuk kishte më pengesa që klienti i tij të kthehej në krye të Korporatës.

“Nga data 15.03.2024, Z. Krasniqi i është hequr masa e ndalimit të afrimit në KEK dhe dëshmitarëve dhe nuk ka asnjë masë tjetër kundër tij. Ai nuk ka pengesa për t’u kthyer në punë. Çështja është në procedurë hetimore, nuk ka aktakuzë”, deklaroi Ibrahimaga.

Për zyrtarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemin, mund të kenë qenë njëra nga këto arsye kjo pozitë u mbajtë “peng” për më shumë se një vit.

“…nuk dihet a për të pritur kthimin e Krasniqit apo derisa pushteti ka përgatitur njeriun e ri nga radhët e veta për ta vendosur në krye të kësaj ndërmarrjeje dhe për ta vazhduar kapjen”, shkroi Azemi, duke shtuar se cilado qoftë arsye është ”dëshmi e bashkëjetesës së kësaj qeverie me korrupsionin”.

Korporatën Energjetike të Kosovës e cilësoi si “strofull të korrupsionit për pushtetin”.

Gazeta Express ka pyetur Korporatën Energjetike të Kosovës nëse Krasniqi ka bërë kërkesë për t’u kthyer në punë, pak orë para se të lëshohej njoftimi se i njëjti është liruar nga detyra, por s’ka marrë përgjigje.

Përgjigje se deri ku kanë shkuar hetimet dhe nëse është afër ngritja e aktakuzës ndaj Krasniqit, s’ka kthyer as Prokuroria Speciale, e cila po e heton rastin.

Krasniqi ishte arrestuar në prill të vitit të kaluar. Nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi të ndikimit dhe konflikti interesi, Krasniqi është mbajtur në paraburgim deri më 15 shtator të vitit të kaluar.

Nga dita e arrestimit, emri i Krasniqit është përmendur pothuajse në secilën seancë të Kuvendit të Kosovës nga opozita, sa herë që ka akuzuar Qeverinë për korrupsion. Pushteti vazhdimisht i ka dalë në mbrojtje Krasniqit.

Kryeministri Albin Kurti e kishte cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, kishte thënë Kurti në një seancë të Kuvendit.

Për këtë rast kishte sulmuar Prokurorinë e Shtetit për këtë rast, saktësisht Kryeprokurorin Blerim Isufaj.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufaj”, kishte deklaruar Kurti.

Arrestimi i Krasniqit është përmendur edhe në raportin e Freedom House. Në raport rikujtohet se Krasniqi ishte zgjedhur në pozitën e drejtorit të KEK-ut në tetor 2021 pa një proces konkurrues të punësimit, nga një bord i cili ishte emëruar përkohësisht gjatë mandatit të parë të Kurtit si kryeministër.

 “Anëtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se arrestimi i Krasniqit është hakmarrje ndaj partisë në pushtet nga kryeprokurori i shtetit. Isufaj, emërimi i të cilit për kryeprokuror të përhershëm të shtetit nuk u përkrah nga presidenti Osmani, dhe i cili ka pasur mosmarrëveshje edhe me Kurtin dhe me Konjufcën, kryetar i Kuvendit”, thuhet në raport.

Nga dita e arrestimit, nëpër media kanë qarkulluar shumë raportime lidhur me kontratat që mund ta kenë çuar në burg Nagip Krasniqin, i cili pas arrestimit u pezullua nga pozita e kryeshefit të KEK.

Fillimisht u raportua se kontrata për të cilën u arrestua Krasniqi ishte ajo për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A, që kishte vlerë 3.4 milionë euro. Kontrata për këtë tender që ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.

Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litwin SA; Bujar B. Shala B.I”.

“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.

Por, Korporata Energjetike e Kosovës kishte reaguar për këto raportime, duke i quajtur të pavërteta.

KEK kishte thënë se kjo kontratë është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.

“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhejj në reagimin e KEK.

Edhe pse KEK e kishte mohuar, kishte qenë avokati i Krasniqit ai i cili e kishte konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.

“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi  ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, kishte shkruar Ibrahimaga në Facebook.

/Shqip.com