PSD-ja aksion në 5-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, i vendos zotimet e krerëve të VV-së në objektin e qeverisë

Partia Socialdemokrate ka mbajtur të premten aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në objektin e qeverisë, aktivistë të kësaj partie kanë vendosur pankarta me zotimet e krerëve të VV-së.
Në pankarta janë citate të kryeministrit Albin Kurti, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, të cilët janë zotuar se do të zbardhin vdekjen e Deharit.
“Me Qeverinë e re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astritin, sepse kjo është drejtësi për shtetin tonë, për popullin tonë, për qytetarët e Republikës, me qenë se pa drejtësinë për Astritin edhe shteti i së drejtës në vendin tonë ndelet shumë i mangët”, thuhet në citimin e Kurtit.

Përveç kësaj pankarte, aktivistët e PSD-së kanë vendosur edhe citate të ministres Haxhiu, ku thuhet: “Hetimi i plotë dhe vendosja e drejtësisë ligjore për këtë ngjarje do të jetë prioriteti i yni qeveritar. Ne do të punojmë pa ndalë deri sa të vihet në vend drejtësia për Astritin”.



Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të premten kanë bërë homazhe te varri i Astrit Deharit.
Nga atje, Kurti deklaroi se “Astrit Dehari u mbyt në burg dhe ishte viktimë e krimit politik”. Po ashtu premtoi reforma në sistemin e drejtësisë “për zbardhjen e vrasjeve të luftës, krimit të organizuar e atij politik”./SHQIP.com