Lajme

PS feston 33-vjetorin e themelimit, Rama ngre dolli para të ftuarve

Partia Socialiste festoi sot 33-vjetorin e themelimit në një festë në selinë e kësaj partie, ndërsa prezent ishin anëtarë socialistë, deputetë, ministra, si dhe figura të rëndësishme të kësaj force politike ndër vite.

Në këtë 33-vjetor, socialistët numërojnë 32 mijë anëtarë të rinj, Edi Rama ndodhet në mandatin e 3-të qeverisës dhe synon një të 4-t, ndërsa në 20 korrik mban Kongresin zgjedhor, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare.

“Rroftë Partia Socialiste”, ishte mesazhi që përcolli Edi Rama, teksa ngriti një dolli, ndërsa 1 minutë heshtje u mbajt për ndarjen nga jeta të Qazim Sejdinit, ish-Kryebashkiakut të Elbasanit dhe një prej figurave kryesore të kësaj partie në Qarkun e Elbasanit në të paktën dy dekada.

Në festë, ka munguar Fatos Nano,lideri  historik i kësaj partie, për shkak të situatës shëndetësore që ka kaluar.

Në një komunikim me gazetarët  ish-deputeti socialist Gramoz Ruçi tha se partia ka ardhur në rritje dhe se tashmë  gratë kanë role të barabarta me burrat në këtë parti.

“33-vjetor 33% më e rritur se 3 vjet më parë jo 33 vite më parë. Kënaqësi e madhe. E dyta sa i përket strukturës moshore, ata që s’kishin lindur para 33-vjetëve sot janë edhe në strukturat drejtuese të PS.

E shikoj nëse para 33 vjetëve zonjat në PS ishin barazuar me gishtat e një dore, sot 50% e strukturave drejtohen nga shoqet, 50% e këshilltarëve të PS janë zonja.

Sot 50% e qeverisë janë zonja, mbi 30% e grupit parlamentar janë zonja. S’ka sesi ta shikosh ndryshe nëse do duhet të jemi realist, as euforik dhe as pesimist”, tha ai.

/Shqip.com