Protesta kundër Vuçiqit, Abazi: Berisha nuk po e bën kundër Serbisë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, është shprehur pro protestës që do të mbahet në Shqipëri kundër presidentit Aleksandër Vuçiq.
Abaz përmes një shkrimi në Facebook thotë se protesta është e drejtë por që ajo drejtohet nga njerëz të gabuar, teksa fjalën e kishte për Sali Berishën.
Ai tha se Berisha ka marrë premtime që do t’i largohet etiketimi “non-grata” nëse Trump kthehet në pushtet.
“Sali Berisha ka thirrur protestë kundër “Open Balkan”, që zhvillohet nesër gjatë vizitës së Vuçiçit në Tiranë. Është e qartë se kemi të bëjmë me të njëjtin Berishë që e mbështeti “Open Balkan” në shtator të vitit të kaluar në pseudo-marrëveshjen e Uashingtonit, kur këtë marrëveshje e çoi përpara Presidenti Trump bashkë me Richard Grenell. Është e qartë se Berisha nuk e hedh poshtë atë pseudo-marrëveshje ku Kosovës iu imponua “Open Balkan”, sepse Richard Grenelli me Evi Kokalarin i kanë premtuar Berishës se do ia anulojnë statusin “non-grata” nëse Trump rikthehet në pushtet. Por ata nuk kanë premtuar se do anulojnë “Open Balkan” nëse Trump rikthehet në pushtet”, ka shkruar Abazi në Facebook.

“Është pra e qartë se më shumë sesa kundër Serbisë e për bashkim kombëtar, Berisha këtë protestë po e zhvillon për të mbrojtur veten dhe familjen që i është shpallur “non-grata”, për të rritur legjitimitetin përball Bashës e Ramës, e për të treguar se opozitën në Shqipëri tashmë de facto e drejton ai. Po mos të ishte kështu, po mos ta kishte hallin te “non-grata” ndaj tij, atëherë tashmë Berisha do duhej të ishte distancuar edhe nga Grenelli dhe enturazhi i tij, si Evi Kokalari, që janë mburrur për marrëveshjen e Uashingtonit e për “Open Balkan” – por këtë të fundit e futi madje në minutë të fundit edhe në “Komisionin e Rithemelmit” të PD-së.”, ka shkruar mes tjerash, Abazi.
Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në protestë duke mos dhënë sqarim për mos-praninë e kësaj partie./Shqip.com