Lajme

Protesta e opozitës me 10 policë të plagosur, arrestohet 1 protestues! 3 në hetim dhe disa në kërkim

Një person ka rënë në pranga, tre në hetim dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim pas protestës së dhunshme të zhvilluar dje në Tiranë nga opozita.

Një protestë marshim me seri bombash molotov drejt institucioneve kryesore ishte skenari i protestës së opozitës, që nisi në sheshin përpara kryeministrisë dhe për rreth tre orë u zhvendos në disa pika kyçe të kryeqytetit.

Për herë të parë, në protestë u shmang podiumi dhe fjalimet politike e ju dha përparësi akteve të mosbindjes civile. Godina e qeverisë ishte e rrethuar nga forca të shumta të rendit, kur protestuesit hodhën molotov, flakadanë e fishekzjarrë, duke i vunë flakën edhe pemëve në bulevard.

Policia përdori lëndë lotsjellëse për të sprapsur turmën. Prej andej deputetët e opozitës udhëhoqën marshimin drejt selisë së partisë socialiste.  Gjatë rrugës, protestuesit i vunë flakën një stacioni autobusi dhe disa kazanëve të mbeturinave.

I njëjti skenar u zbatua edhe në selinë e Partisë Socialiste, ku një seri bombash molotov u lëshuan drejt godinës dhe ju vu flaka banderolës  në fasadën hyrëse. Sërish policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Ndalesa e radhës ishte pak metra më larg, pranë ndërtesës së ministrisë së e më pas në Bashkinë e Tiranës, ku shpërthimet e molotovit lënduan edhe disa punonjës të policisë.

Marshimi vijoi për disa orë në rrugët e kryeqytetit, ku mosbindja civile u përkthye në thyerje te xhamave të reklamave, dhe zjarrvënie në kazanët e mbeturinave. Në fund, të paktë në numër protestuesit u ndalën në sheshin përpara parlamentit. Skenari edhe atje ishte i njëjtë dhe kundërpërgjigjja gjithashtu.

Të paktën 10 punonjës policie u dëmtuan nga sulmet e protestuesve, ndërsa Autoritetet siguruan se kanë marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

/Shqip.com