Prokuroria Speciale pranon raportin nga Zvicra për Astrit Deharin, këto janë gjetjet

Prokuroria Speciale ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës konstaton se “analizat nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç të Astrit Deharit”.
“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftim.
Raporti i ekspertizës ligjore:
Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:
Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.
Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.
Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.
Në njoftim, thuhet se bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e rastit.
Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të paqarta.
Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).
Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.
Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.
Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës.
Më 17 maj, 2017, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës./Shqip.com