Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një personi për masakrën e Izbicës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet M.A i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Republikës së Serbisë. Ai akuzohet për krime luftë përkatësisht për pjesëmarrjen e tij në masakrën e Izbicës në komunën e Skenderajt ku u vranë 130 shqiptarë në vitin 1999. Për këtë rast janë marr deklaratat e mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarave të rastit, pastaj video incizime, raportet të autopsisë dhe dëshmi të tjera.
“Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.
Prokuroria njofton se për këtë masakër janë duke u hetuar edhe persona të tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë masakër. “Rasti është më i madh dhe shumë më kompleks dhe për këtë arsye hetimet janë ende duke vazhduar për të dyshuar të tjerë, për sigurimin e provave tjetra materiale të rëndësishme për zbardhjen në tërësi të kësaj çështje penale” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
I pandehuri M.A. gjendet nën masën e sigurisë, të paraburgim. /Shqip.com