Prokuroria ngre aktakuzë ndaj tre të pandehurve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Prokuroria Themelore në Pejë këtë të premte ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për vrasjen tronditëse të ndodhur në nëntor të vitit 2021 në Gllogjan.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një konference për media prokurorja e rastit, Sahide Gash.
Ajo ka thënë se aktakuza është ngritur ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.
“Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryes së vrasjes së rëndë.
Ndërsa ndaj Halil Mehmetajt, Gashi ka thënë se është ngritur aktakuzë për vepren penale “shtytje në vrasje të rëndë”, derisa për Malsor Mehmetajt kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”, tha Sahide Gashi, prokurore e rastit.
Kujtojmë se, vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.
Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.
Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.
Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.
/Shqip.com