Lajme

Prokuroria heton drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil

Agjencia e Aviacionit Civil
Agjencia e Aviacionit Civil

Në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

I njëjti rast fillimisht ishte trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) pas informacioneve që kjo e fundit kishte pranuar nga një sinjalizues.

Sinjalizuesi, në shkresën që kishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte pretenduar se Bujar Ejupi ishte mik i ministrit dhe se ka qenë i angazhuar në fushatën elektorale të Arban Abrashit, në kohën kur ky i fundit garonte për kryetar të Prishtinës.

Kallxo.com ka marrë një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit rreth raportimit që kanë pranuar për emërimin e Bujar Ejupit drejtor të AAC-së.

Lidhur me pretendimet për konflikt të interesit për zyrtarin e lartë z. Bujar Ejupi, Drejtor i AAC-së, Agjencia, bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 03/L-159 për Agjencinë kundër Korrupsionit ka zhvilluar procedurën e hetimit paraprak. Pas përfundimit të procedures së hetimeve paraprake, Agjencia në mungesë të kompetencës ligjore për veprime të caktuara hetimore dhe mundësive reale për hetim dhe verifikim, rastin e ka përcjell në institucionet kompetente për procedim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kundër Korrupsionit në bazë të ligjit obligohet që t’i dërgojë në prokurori rastet që kanë elemente të veprës penale. Kallxo.com ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Shtetit për rastin që kanë pranuar nga AKK për emërimin e drejtorit të AAC-së, Bujar Ejupit.

Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se rasti është në trajtim nga ana e Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës kur është pyetur për rastin e pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit për emërimin e drejtorit të AAC-së.

Buajr Ejupi ishte emëruar drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës pas propozimit të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Në shkresën e sinjalizuesit ishte ngritur edhe çështja e emërimit të kryesuesit të bordit mbikqyrës të AAC-së, Skender Halili.

Por, në një përgjigje për Kallxo.com, AKK thotë se rasti i Halilit është mbyllur.

Lidhur me Zyrtarin e lartë z. Skender Halili, Kryesues i Bordit Mbikëqyrës të Autoritetit të Aviacionit Civil, Departamenti për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ka trajtuar rastin me numër protokolli AKK-DPKI-06-1225/22, duke zhvilluar procedurën e paraparë sipas Ligjit nr.06/L-01 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik  dhe rasti në fjalë është mbyllur”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Po ashtu, Kallxo.com u ka dërguar pyetje në lidhje me rastet edhe Bujar Ejupit dhe Skender Halilit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Gjithashtu, Kallxo.com i ka dërguar pyetje edhe ish-ministrit Arban Abrashi, por deri në publikim të shkrimit ai nuk ka kthyer përgjigje.

/Shqip.com