Lajme

Procedohet për në Kuvend vendimi i Qeverisë për masat emergjente

Ilustrim

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të premten ka mbajtur një takim, në të cilin ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka bërë të ditur se këtë propozim-vendim e kanë proceduar për në seancën e radhës të Kuvendit.

Sipas Shalës, më në fund Qeveria ka filluar të reflektojë, dhe “po orvatet që të kthejë ligjshmërinë e veprimeve të saj në relacion me krizën energjetike të vendit”.

“Fatkeqësisht, të gjitha vendimet, transaksionet dhe importet në këtë periudhë krize, janë kryer në mënyrë të paligjshme”.

“Pas ngritjes së shqetësimit tonë, dhe propozimit që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe emergjente me legjislacionin në fuqi, në fushën e energjisë, Qeveria sonte në orët e vona morri këtë vendim”.

“Kjo dëshmon atë që ne e kemi ngritur si çështje dhe shqetësim, për paaftësinë e Qeverisë që të përballet me sfidat”, ka shkruar ai në Facebook.

May be an image of 8 people, people standing, people sitting and indoor
Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht për 60 ditë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 51-të të Qeverisë Kurti, e mbajtur të premten.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë./SHQIP.com