“Problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut është kompleks dhe nuk zgjidhet duke akuzuar”

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka kritikuar për deklaratat e tij lidhur me vënien e gurthemelimin të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
Në një postim në Faceboo, ai ka shkruar se problemi këtij universiteti “është kompleks dhe nuk zgjidhet duke akuzuar, pa asnjë bazë, qeverisjen që nuk ka fare gisht në legjitimimin e tij”.
E vërteta sipas Pupovcit, është se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është në administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut”.
“Këtë e pranon edhe vet LDK, duke ju referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa unë po ja shtoj edhe Ligjin për Arsimin në Komuna, i cili në nenin 14 i jep Komunës së Mitrovicës së Veriut kompetenca speciale për menaxhimin e këtij Universiteti, përfshirë aprovimin e statutit të tij, që për të gjitha universitetet tjera e bën Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar ai.
“Këto dy ligje janë aprovuar në majin e vitit 2008, me procedurë urgjente, dhe bëjnë pjesë në legjislacionin vital i cili nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Po besoj se të gjithëve ju kujtohet përbërja e koalicionit qeverisës dhe e shumicës parlamentare në atë mandate”.
Por, Pupovci thotë se është e pavërtetë deklarata e LDK-së se “asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”.
Ai thotë se legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, “kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi”.
“Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 prill 2021 janë njohur 1,709 diploma të lëshuara nga ky Universitet. Nuk e di si mund të legjitimohet më mirë një universitet sesa duke ju njohur diploma”./SHQIP.com