Pritje të gjata për t’u pajisur me patentë shoferë – Ministria pa plan konkret
Qytetarët nga rajonit i Prishtinës po përballen me pritje të gjata për t’u pajisur me patentë shofer.
Në proporcion me këtë janë rritur edhe ankesat e qytetarëve.
Kandidatja, Kaltrina Smakiqi, tregon për SHQIP.com se ka pritur dy muaj e gjysmë për test teorik, ndërsa mbi tre muaj për atë praktik.
“Të papranueshme këto pritje. Kjo është hera e dytë që po e paraqes edhe vetëm pare kot me harxhu duke të rrëzuar nga provimi për mungesë të testit negativ”, ka deklaruar ajo.
Kandidati tjetër nga Prishtina, Florian Krasniqi, hedh akuza për parregullsi.
“E kam pa me sy të mi që datat nuk i vendosin me ndonjë rregullore, por qysh te ju teket vet. A pret apo nuk pret nuk ju intereson hiq, vetëm a e ki dikën. Prej nëntori në shkurt kam prit për provim teorik, tash testin e vozitjes ma kanë shtyre prapë tre muaj”, ka thënë ai.
Përveç qytetarëve nga rajonit i Prishtinës, me vonesa përballen edhe ata të Prizrenit, për shkak të numrit të lartë të kandidatëve.
Shoqata e Autoshkollave “Dardania”: Vonesat po rrezikojnë skadimin e vlefshmërisë së testit
Të pakënaqur me procesin janë edhe autoshkollat.
Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave “Dardania”, Afrim Islami, ngrit shqetësimet se vonesa po ndikojnë në humbjen e vlefshmërisë së testit.
“Turp shumë i madhe është kjo çka janë duke bërë. Me prit tre muaj një kandidat me hy në provim është absurde. Merre me mend pritje tre muaj, kjo vonesë e madhe po ndikon në humbjen e vlefshmërisë së testit”, ka pohuar ai.
Për këtë, thotë se kanë dërguar ankesa dhe shkresa të shumta në ministri për gjetjen e një zgjidhje, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Çdo kund kemi dërguar shkresa dhe kurrë nuk jemi ndal. Jo vetëm një, një ja kemi dërguar Liburnit, një drejtorit të njësisë së patentë shofereve një Nehbi Shatrit, përveçse këtyre një ja kemi dërguar edhe Fitore Pacollit, e cila na ka thirre dhe jemi konsultuar në Kuvend”.
Ministria nuk ofron zgjidhje
Në anën tjetër, nga Ministra e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thonë janë duke punuar, por pa treguar një plan konkret.
“Ministria është në proces të licencimit të pyetësve, pjesa teorike ka përfunduar së shpejti do të mbahet edhe pjesa praktike për licencimin e pyetësit të cilët vlerësojnë kandidatët në pjesën praktike”.
Nga Ministria thonë se kanë ofruar zgjidhje për një pjesë të kandidatëve që kanë nevojë që të pajisen sa ma shpejtë me patentë.
Por, për këtë duhet dëshmi.
“Rastet më të shpeshta janë kur ka të bëjë me skadimin e dokumenteve apo dhe udhëtimet jashtë vendit dhe kandidatët që posedojnë viza apo bileta udhëtimi, kjo dëshmohet me dokumentet e nevojshme”.
Ndryshe nga rajonit i Prishtinës dhe Prizrenit, në njësitë e tjera pritjet për testimin teorikë janë rreth një javë, dhe atë praktikë rreth një muaj.
Siç thuhet në përgjigje, kalueshmëria nga pjesa teorike është 52 %, ndërsa nga pjesa praktike 70%./SHQIP.com