Sport Shqiptar

Prishtina në çerekfinale të Kupës, eliminon Dukagjinin

Prishtina e ka mposhtur Dukagjinin me rezultat 3:1, në ndeshjen e vlefshme të së tetës së finales së Kupës së Kosovës.

Bardhekaltrit kryen punë qysh në pjesën e parë, kur i shënuan dy gola, për të shkuar në pushim me një epërsi solide pas dominimit në 45 minutëshin e parë.

Jalen Blesa ishte hero i prishtinasve me dy gola të shënuar, një në pjesën e parë dhe një në atë të dytë.

Kurse, Leotrim Kryeziu i kaloi fillimisht kryeqytetasit në epërsi qysh në minutat e parë të lojës.

Nga ana tjetër, golin e vetëm dhe të pamjaftueshëm për klinasit e shënoi Vladislav Khomutov.

Prishtina kështu e kompleton fazën çerekfinale të kësaj gare.

Ky takim ishte paraparë të zhvillohej dje në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, por u shty për shkak të motit të lig.

/Shqip.com