Price: Po vazhdon verifikimi i afganëve që po strehohen në Kosovë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price, bëri të ditur se është duke vazhduar verifikimi i afganëve që janë strehuar përkohësisht në Kosovë nga autoritetet amerikane, përcjell Shqip.com.
Price këto i ka bërë të ditur në takimin e rregullt me gazetarët teksa u pyet rreth statusit të qytetarëve afganë që janë strehuar në Kosovë, raporton Zëri i Amerikës.
“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit”, tha ai “disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”, tha ai.
Zëdhënësi i DASH-it ka ritheksuar mirënjohjen për Qeverinë e Kosovës për ndihmën e ofruar në këtë drejtim, ndërsa theksoi se janë duke u bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane në Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit.
Ndryshe, që nga fundi i muajit gusht, në Kosovë janë strehuar mbi një mijë e 300 shtetas afganë, pas përpjekjeve ndërkombëtare për t;i shpëtuar ata nga lufta në Afganistan.
Ndërkaq, gati gjysma e të strehuarve në Kosovë janë larguar me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt SHBA-ve./SHQIP.com