Lajme Botë

Presidenti amerikan do të shkurtojë udhëtimin jashtë vendit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të shkurtojë një udhëtim të tij në Azi për t’u fokusuar në negociatat për tavanin e borxhit në vend, raportojnë mediat amerikane.

Presidenti Biden do të udhëtonte për në G7 në Japoni të mërkurën, përpara se të shkonte në Papua Guinenë e Re dhe Australi.

Ai tani pritet të kthehet pas përfundimit të samitit për të takuar udhëheqësit e kongresit në Uashington, tha një burim për partnerin amerikan të BBC-së, CBS.

SHBA mund të mos paguajë borxhin e saj nëse bisedimet dështojnë.

Pas samitit të 19-21 majit në Hiroshima, Biden pritej të udhëtonte në Papua Guinenë e Re për bisedime mbi sigurinë rajonale përpara se të shkonte në Australi për një takim të “Quad” së bashku me liderët nga India, Japonia dhe Australia.

Mediat amerikane raportojnë se Biden në vend të kësaj do të kthehet në Uashington DC.

Këtë muaj, sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, paralajmëroi se SHBA-të mund të mbeten pa para deri më 1 qershor, nëse Kongresi nuk arrin ta rrisë ose pezullojë tavanin e borxhit.

Arritja e kufirit të borxhit do të nënkuptojë se Qeveria e SHBA-së nuk është në gjendje të marrë hua më shumë para, duke shkaktuar një falimentim katastrofik.

Në atë kohë, Yellen i kërkoi Kongresit të veprojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të adresuar kufirin prej 31.4 trilionë dollarë (25 trilionë paund).

Udhëheqësit republikanë të Kongresit kanë kritikuar Biden për udhëtimin në Azi mes bisedimeve për tavanin e borxhit.

Duke folur për Bloomberg News, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha se një udhëtim shtatëditor jashtë vendit gjatë një emergjence fiskale të brendshme do të ngrinte pyetje në lidhje me prioritetet e presidentit. /BBC

/Shqip.com