Presidenca mohon se ka emëruar Përfaqësues të ri në Vatikan

Vehbi Miftari nuk është emëruar të shërbejë në ndonjë mision diplomatik nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kështu ka konfirmuar për Shqip.com, këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, i cili tha se Miftari do të mbajë kontakt me Selinë e Shenjtë si person kontaktues nga Kosova, në përputhje me praktikat e mëhershme.
“Këshilltari i Presidentes nuk është emëruar të shërbejë në ndonjë mision diplomatik e as nuk do të marrë ndonjë grade diplomatike. Do të mbajë kontakt me Selinë e Shenjtë, si person kontaktues nga Kosova, në përputhje të plotë me praktikat e mëhershme të institucioneve dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi”, tha Kupina.
Ndryshe, të hënën është raportuar se Osmani me kërkesë të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pritet ta emëroj Vehbi Miftarin, përfaqësues të Kosovës në Selinë e Shenjtë.
Kundër këtij emërimi doli ish-përfaqësuesi i Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, Anton Berisha, i cili tha se “presidentja duhet të ketë kujdes dhe të mos e ulë përfaqësimin në Selinë e Shenjtë”./SHQIP.com