Sport Ndërkombëtar

Portugalia e nis me fitore, shënohen pesë gola në ndeshjen ndaj Ganës

Portugalia në përballjen e parë të fazës grupore në Kampionatin Botëror duke fituar me rezultat 3-2 kundër Ganës në Stadium 974 në Doha.

Fraksioni i parë i lojës nuk prodhoi gola, ndërsa të zbehta ishin edhe rastet e shënimit. Mirëpo, gjithçka ndryshoi në gjysmën e dytë të takimit, ku të dyja skuadrat e gjetën rrjetën.

Portugezët e deshën më shumë golin, megjithëse u rrezikuan me raste nga ganezët dhe ia dolën ta zhbllokonin rezultatin në minutën e 65-të.

Ishte superylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, ai që me mjeshtëri e nxori një penallti për ta nxjerrë veten ne rast ideal. Dhe pikërisht këtë e bëri. 37-vjeçari u tregua i saktë nga pika e bardhë duke e konvertuar në gol njëmbëdhjetëmetërshin për t’ia dhënë epërsinë përfaqësueses së tij.

Mirëpo, kaluan vetëm tetë minuta dhe ganezët e barazuan rezultatin me golin e Andre Ayew (73’).

Porse, reagimi i portugezëve ishte i shpejtë për t’i rikthyer gjërat në favorin e tyre. Bruno Fernandes e gjeti në pozitë të mirë Joao Felixin, i cili e riktheu epërsinë (78’).

Nuk kishin kaluar shumë minuta prej se kishte hyrë në lojë Rafael Leao dhe sulmuesi i Milanit e realizoi golin e sigurisë (80’). Asistues sërish ishte Bruno Fernandes.

Pas një gabimi të Joao Cancelos, Rahman Baba harkoi te Osman Bukari, i cili e shënoi golin e dytë të ganezëve (89’) për t’i bërë dramatike minutat e fundit. Megjithatë, nuk pati gola të tjerë.

Pas kësaj fitoreje, Portugalia është në krye të Grupit H me tri pikë, derisa nga një pikë e kanë Uruguai dhe Koreja e Jugut, kurse Gana ndodhet në fund pa pikë.

/Shqip.com