Politika shqiptare bëhet bashkë, dënon sulmin ndaj Trump/ Rama: Atentati, tragjedi për botën demokratike

Kryeministri Edi Rama e cilësoi si tragjedi për Botën demokratike atentatin ndaj ish-Presidentit, Donald Trump.
“Është shqetësuese të shohësh një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet gjatë një tubimi, dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur.
Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për ish-Presidentin Trump dhe familjen e tij.
Ne të gjithë shpresojmë që kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër çdo lloj forme dhune”.

Presidenti Begaj
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i cili mbeti i plagosur në veshin e djathtë, pas të shtënave me armë. Begaj dënoi ashpër “këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci”.
“Mësova me keqardhje lajmin e tentativës për vrasjen e Presidentit Donald Trump. I uroj shërim të shpejtë Presidentit Trump dhe ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetës së një personi të pafajshëm. E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci”, u shpreh Presidenti i Republikës në llogarinë e tij në rrjetin X.
Sali Berisha, kryetar i PD
Për sulmin ndaj Donald Trump reagoi edhe kryetari i PD, Sali Berisha. Ish-kryeministri shqiptar e konsideroi ngjarjen si sulm terrorist dhe shprehu besimin se autorët dhe organizatorët do të marrin ndëshkimin e rreptë ligjor.
“Të dashur miq, një dorë kriminale shkrepi mbrëmë një seri të shtënash në një atentat me qëllim vrasjen e Presidentit Donald Trump. Ky akt i shëmtuar kriminal, ndodhi gjatë fjalës të Predidentit Trump në një takim elektoral ne Butler Pensilvania. Nga të shtenat Presidenti Trump u plagos, por është jashtë rreziku për jetën dhe një pjesmarrës në miting u vra dhe dy të tjerë janë të plagosur rëndë. Atentator i identifikuar si Thomas Mattheu Crooks, 20 vjeç u asgjesua nga shërbimi sekret. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqiperisë dhe lutem për shërim të shpjetë dhe të plotë të tij. Ngushellime famijes se viktimes dhe sherim të shpejtë të plagosurve te pafajshëm. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në këtë akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndeshkimin më të rreptë ligjor”.
/Shqip.com