Lajme

Policia në Zveçan konfiskon një motobarkë në pronësi të Radojçiqit

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një motobarkë që dyshohet se është në pronësi të Milan Radoiçiqit është konfiskuar këtë të mërkurë gjatë kryerjes së një bastisjeje në Zveçan.

Këtë për Dukagjinin e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

“Sot gjatë ditës policia ka kryer një bastisje në Zveçan me ç’rast ka konfiskuar një motor barkë (skaf) që dyshohet të jetë pronë e Milan Radojçiq-it i cili njëherit është i dyshuar për involvim në rastin Banjska”, ka deklaruar Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë për rajonin e veriut.

Ndërsa, raportohet nga KSP, se Interpol-i tashmë ka lëshuar një fletarrest për Milan Radojçiq, i cili udhëhoqi grupin terrorist në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Bastisjet e kryera në veri pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit zbuluan vilën e Radojçiqit, buzë Liqenit të Ujmanit.

Pronat e Radojçiqit ishin cak i bastisjeve pas pamjeve që publikoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku dëshmohej përfshirja e tij në sulmin e 24 shtatorit.

Kujtojmë se edhe vetë ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq, ka pranuar publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Po ashtu, ministri Sveçla është angazhuar për të përdorur vilën e konfiskuar të Radojçiqit, duke i bërë kërkesë Ministrisë së Bujqësisë që prona e tij të përdoret nga Policia e Kosovës.

Ndaj kësaj kërkese nuk është marrë ende një vendim, por Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Portalin Dukagjinin ka treguar se Qeveria është duke koordinuar veprimet institucionale, me një qëllim të qartë: përdorimi i pronave të ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit për qëllime të rendit dhe të sigurisë.

/Shqip.com