Lajme

Policia në Shkodër zbulon edhe 38 kamera të tjera në qytet

Policia e Shkodrës ka çmontuar edhe 38 kamera të instaluara nga grupet kriminale në Shkodër në shtylla elektrike, me qëllim marrjen e informacioneve mbi lëvizjen e efektivëve, duke e çuar numrin total në 59.

Policia bën me dije se kamerat ishin instaluar në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit, konkretisht në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, me qëllim sigurimn e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

Më herët, gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës dhe nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.

/Shqip.com