Policia konfirmon për Shqip.com: Nga nesër fillon zbatimi i gjobave për targat ilegale

Nga nesër të gjithë automjetet me targa ilegale në veri të vendit pritet të gjobiten nga ana e Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Shqip.com.
“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Shqip.com.
Shqip.com ka pyetur Policinë e Kosovës për numrin e forcave policore të cilat pritet të jenë të angazhuar në teren, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Gjithashtu nga ana e Policisë së Kosovës nuk kanë informuar se çfarë pritet të ndodhë me pozitat të cilat kanë mbetur të lira që nga koha kur zyrtarë policorë serbë dhanë dorëheqje.
/Shqip.com