Lajme

Policia jep detaje për kërcenin me bombë në Rektoratin e UP-së.

Shiriti i policisë
Shiriti i policisë

Policia e Kosovës ka rrethuar oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pasi dyshohet për kërcënim me bombë, të pranuar përmes një emali anonim.

Lajmi është konfirmuar për SHQIP.com nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me rektorin, Naser Sahiti, i cili tha se emailin e kanë pranuar sot gjatë ditës.

“Po kemi pranuar sot një email anonim, ku jemi kërcënuar me bombë në oborrin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës. E kemi lajmëruar rastin menjëherë në polici”, ka treguar ai.

I pyetur se cila ka qenë arsyeja e kërcënimit më bombë ai nuk ka dhënë detaje, duke thënë se policia merret më tutje me rastin./SHQIP.com