Lajme

Policia gati, por Qeveria jo – Kosova vazhdon të mbetet jashtë INTERPOL-it

Selia e Interpol-it dhe flamuri i Kosovës

“Policia e Kosovës është e gatshme të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme por kërkesa për aplikim varet nga Qeveria e Kosovës”.

Kështu ka deklaruar Besnik Sallahu, drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Policisë së Kosovës.

Prandaj, përkundër se Policia e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen për të qenë pjesë e kësaj organizate, nuk ka mjaftuar që Kosova të aplikojë këtë vit për anëtarësim, shkruan Shqip.com.

“Unë, qysh më herët kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti, ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL”, pati deklaruar Xhelal Sveçla, Ministri i Punëve të Brendshme.

Sveçla shtoi se është formuar grupi punues i cili do t’i përgatisë dokumentet e nevojshme që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm, të jetë i sigurt.

Për deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm.

Rashit Qalaj- ish drejtor i Policisë së Kosovës, tani deputet në Kuvendin e Kosovës

Ish-drejtori i PK-së, për Shqip.com, deklaroi se humbja e kohës është në dëm të Policisë së Kosovës.

“Është shumë me rëndësi që Policia e Kosovës të jetë anëtare e INTERPOL-it, dhe mendoj se çdo humbje kohe është e dëmshme si për PK-në po ashtu edhe për INTERPOL-in. Mos të harrojmë që benefiti nuk është vetëm i PK-së të jetë pjesë e saj, por besoj edhe INTERPOL-i ka llogari që ta ketë policinë tonë brenda”, tha Qalaj për Shqip-in.

Nga një këndvështrim tjetër e sheh profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami.

Sipas tij, arsyeja pse shtetet nuk votojnë pro anëtarësimit të Kosovës, është vetëm për shkaqe politike.

“Çështja e anëtarësimit të PK-së në anëtarësimin e Organizatës më të madhe Policore në INTERPOL, është më tepër ose kryekëput çështje politike sesa çështje teknike”, tha Islami për Shqip-in.

Avni Islami- profesor i shkencave të sigurisë

Islami, vendimin e MPB-së e merr të mirëqenë, duke shtuar se kjo ministri i ka bërë kalkulimet se cilat shtete e votojnë Kosovën dhe cilat jo.

“Për shkak se para tri viteve, kur Kosova aplikoj për anëtarësim, nuk i kishte numrat e mjaftueshëm në mënyrë që Kosova të pranohet në INTERPOL. Prandaj besoj që MPB e ka vlerësuar saktësisht se i ka bërë përllogaritjet e veta matematikore se e ka apo nuk e ka përkrahjen e shteteve të mjaftueshme që të kalojë përmes votës në INTERPOL në mënyrë që Kosova të jetë e barabartë me shtetet tjera”, tha ai.

Edhe mos votimi për anëtarësim nga shtetet të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, del të jetë barrë shtesë për Kosovën.

Profesori i çështjes së sigurisë, apelon që Qeveria dhe Presidenca, të kthejnë fokusin në lobim më të fortë jo vetëm tek shtetet që nuk e njohin pavarësinë e vendit por edhe tek ato që e njohin.

“Mendoj qeveria e Kosovës dhe presidenca, të punojnë më shumë me shtetet të cilat na kanë njohur por ishin kundër anëtarësimit. Të punojnë në këtë drejtim, të sigurohen votat e mjaftueshme që në momentin kur mbahet mbledhja e radhës dhe sigurohen votat, tek atëherë të aplikohet”, deklaroi Islami.

Se diplomacia kosovare, ka “fjetur” në kohën kur po bëhej “luftë” për anëtarësim në INTERPOL e thotë edhe njohësi i çështjes së sigurisë,  Nuredin Ibishi.

Ibishi për Gazetën Shqip.com, tha se Kosova në këtë pikë ka dështuar.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

“Fatkeqësisht, përgatitjet e dhe lobimi ishin të pamjaftueshme sepse janë harxhuar edhe të holla edhe pa ndonjë koncept strategjik se si t’i qasemi lobimit tek shtetet anëtare, pra këtu kemi dështuar”.

Ndër tjera, Ibishi shtoi se qeveria duhet ta ndërrojë fokusin strategjik të punës.

Sipas tij, çdo qeveri ka pas për fokus të arrijë vetëm planet e brendshme, kështu duke i lënë anash ato të jashtme.

“Është një hendikep i madh, sepse më shumë po bëjmë plane të brendshme më shumë po fokusohemi në arritjen e objektivave në plane të brendshme sesa interesimi për jashtë”.

“Edhe këtë vit që nuk u përgatitëm me kohë, mendoj se kjo nuk është e mirë për Kosovën dhe do të ndikojë në bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me agjencinë e krimit të organizuar. Mendoj se edhe ky abstenim do të jetë një dështim i radhës”, deklaroi Nuredin Ibishi.

Analisti politik, Jusuf Thaçi i ka sugjeruar Qeverisë së Kosovës disa masa të cilat thotë se duhet t’i marrë urgjentisht.

Ai propozon që Qeveria të ndajë buxhet dhe të angazhojë kompani për të lobuar në SHBA, mobilizim të ambasadës së Kosovës në Washington e koordinim me Qeverinë e Shqipërisë.

Sipas Thaçit kjo duhet të ndodhë duke pasur parasysh aktivitetin e shtuar të Serbisë në SHBA kohëve të fundit.

“Të ndajë buxhet dhe të angazhojë kompani të specializuara për lobim në SHBA.Ta fuqizojë me resurse të nevojshme dhe ta mobilizojë në maksimum ambasadën e Kosovës në SHBA.Të koordinohet maksimalisht me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të pasur qëndrim të njëjtë kur janë në pyetje raportet dhe dialogu Kosovë-Serbi”, ka shkruar Thaçi.

Jusuf Thaçi- analist politik

Më tej ai ka shtuar se “lobimi bën mrekulli në SHBA”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it,  tha se ishte Serbia që i pamundësoi Kosovës anëtarësim për herë të tretë në falë meritave të presidentit të serb, Aleksandër Vuçiq.

“Rendi i ditës është miratuar dhe shteti i rremë i Kosovës nuk ka aplikuar për anëtarësim në Interpol në seancën e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Stamboll. Ky është rezultat i punës sonë këmbëngulëse të vitit të kaluar, kishte thënë Vulin për mediat serbe.

Kosova, që nga muaji maj i këtij viti, kishte mbetur pa ambasadorë në disa shtete përfshirë edhe SHBA-të.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte marrë vendim që t’i shkarkojë të gjithë të emëruarit politikë, mes tyre edhe 12 ambasadorë.

Kjo gjendje kishte ndikuar që të dobësohej lobimi i Kosovës në shtetet me ndikim.

Përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL ndër vite

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010.

Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Ndërkaq, më 2018 Kosova nuk arriti të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme,

Në rrethin e parë të votimit,Kosovën e mbështetën 76 shtete, kundër ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan.

Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori vetëm 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Kurse, në janar të vitit 2019, Kosova kishte aplikuar për pranim në këtë organizatë e cila ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i INTERPOLit.

Më vonë, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar tërheqjen e kësaj kërkese dhe shtyrjen e saj për vitin 2020.

Në shtator të vitit 2020, Kosovës iu ndërprenë mundësitë për të aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, rrjedhimisht edhe në atë të INTERPOL-it, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

Sipas marrëveshjes, Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. /Shqip.com