Lajme

Policia është ende në fazën e ekzaminimit të terrenit në Jarinjë dhe Bërnjak

Pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku, janë mbyllur. Që nga ajo ditë, këto dy pika nuk janë hapur për qarkullim.

Për këtë çështje, Policia e Kosovës ka thënë se janë ende në fazën e ekzaminimit të vendit të ngarjes dhe terrenit.

PK, në një përgjigje për Gazetën Express, bën të ditur se qarkullimi është normal dhe se pikat tjera kufitare me Serbinë janë të hapura.

“PK-ja është ende në fazën e ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe terrenit. Pikat tjera kufitare me Serbinë janë të hapura, qarkullimi është normal”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të dielën, në fshatin Banjskë të Zveçanit, njësitë policore të Kosovës u sulmuan nga disa terroristë serbë. Nga të shtënat me armë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe u lënduan dy të tjerë.

Pas sulmit, rreth 30 persona të armatosur hynë në Manastirin e Banjskës, derisa pasdite Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e mori në kontroll manastirin, ku arrestoi disa sulmues mirëpo shumica ikën në male dhe dyshohet se kanë kaluar në Serbi.

Ndërkaq, në anën tjetër, ende nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i sulmuesve të vrarë, mirëpo për 3 është konfirmuar, derisa ministri Sveçla ka deklaruar se ka indikacione që ky numër mund të jetë më i madh.

Gjatë kontrollit të Policisë në dhe rreth manastirit të Banjskës u gjet sasi e konsiderueshme e armatimi, vlera e të cilit sipas Sveçlës është 5 milionë euro.

Ndërkaq sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën me anë të së cilës dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

/Shqip.com