Policia e Kosovës në kërkim të dy vëllezërve shqiptar që po dyshohen për vrasje në Norvegji

Policia e Kosovës është në kërkim të dy vëllezërve shqiptarë nga Kosova, të cilët po kërkohen edhe nga policia norvegjeze.
Në një përgjigje për Shqip.com, PK ka treguar se në lidhje me urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet norvegjeze, i kanë njoftuar edhe autoritetet kompetente.

“Me datë 15.10.2021, Policia e Kosovës lidhur me çështjen në fjale ka pranuar informacionin nga autoritetet Norvegjeze dhe nga ajo kohe është në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë Norvegjeze. Po ashtu lidhje me urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet Norvegjeze, janë njoftuar autoritetet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndryshe, të mërkurën, mediat në Norvegji kanë raportuar se policia norvegjeze është në kërkim të dy vëllezërve shqiptarë nga Kosova pasi që po dyshohen për një vrasje në Oslo, më 7 tetor.
Sipas policisë norvegjeze, vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli, nga 9 tetori janë strehuar në Kosovë.
Tutje, stacioni policor i Oslos ka publikuar edhe fotografitë e dy vëllezërve kosovarë, teksa kërkojnë informacione që do të mundësonin arrestimin e tyre.
Ndërkaq, vrasja për të cilën ata po akuzohen ka ndodhur para një shkolle në lagjen e Oslos, Mortensrud, ku viktima ishte një 20-vjeçar, Hamse Hashi Adan, kurse një 40-vjeçar është në paraburgim si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje.
Kurse, avokati i dy vëllezërve kosovarë, Svein Holden, ka deklaruar se ata e mohojnë çdo lidhje me këtë vrasje.
“Unë kam qenë në kontakt me të dy pasi janë shpallur në kërkim dhe të dy mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen”, tha Holden.
Ndryshe, në vitin 2016, vëllezërit Avdyli janë bërë të parët në Norvegji që janë dënuar sipas Ligjit të amandamentuar për terrorizëm.
Valon Avdyli është dënuar për pjesëmarrjen e tij në organizatën terroriste “IS”, kurse Visa Avdyli për mbështetje materiale të vëllait të tretë, Egzon Avdyli. Ky i fundit është vrarë në luftën e Sirisë në prill të vitit 2014, si pjesë e “ISIS-it”.
Mediat norvegjeze shkruajnë se Policia e këtij vendi nuk sheh asnjë lidhjes mes dënimeve të mëparshme dhe vrasjes në Mortensrud më 7 tetor./SHQIP.com