Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për krime lufte

Policia e Kosovës, ka arrestuar një person në Graçanicë, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Policia ka bërë të ditur se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.
“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Zyrtarët kompetent nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
– një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm,
– 136 fishek të kalibrit 9x19mm,
– thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives,
– shufër metalike “Taiwan”,
– dokumente, vendime, notes dhe telefon personal, etj.
Në konsultim me prokurorin kompetent nga Prokuroria Speciale i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.
/Shqip.com