Policia: Alarmi për bombë në Rektoratin e UP-së del të jetë i rremë

Policia e Kosovës ka larguar shiritin që ka rrethuar Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, pasi dyshimeve që kishte për alarme më bombë.
Sipas policisë, gjatë inspektimit që është bërë ka rezultuar të mos ketë asnjë mjet shpërthyes.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për SHQIP.com
Ndryshe, ky lajm vjen pas raportimeve se një mjet shpërthyes është vendosur në oboorin e Rektoratit të UP-së, i pranuar përmes një emaili.
Shqip.com ka kontaktuar edhe me rektorin, Naser Sahiti, i cili tha se emailin e kanë pranuar sot gjatë ditës.
“Po kemi pranuar sot një email anonim, ku jemi kërcënuar me bombë në oborrin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës. E kemi lajmëruar rastin menjëherë në polici”, ka treguar ai.
I pyetur se cila ka qenë arsyeja e kërcënimit më bombë ai nuk ka dhënë detaje, duke thënë se policia merret më tutje me rastin./SHQIP.com