Kulturë

Platforma Kulturore e Evropës Qendrore dhe MKRS do të organizojnë një koncert muzikorë

Platforma Kulturore e Evropës Qendrore (PCCE), në përbërje të shteteve anëtare të BE-së, Hungarisë, Austrisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të organizojnë një gala koncert muzikorë me artistë të rinj të këtyre vendeve dhe të Kosovës, i cili do të mbahet sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.

Këtë e bëri të ditur MKRS, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ministri Hajrulla Çeku, të martën u takua me ambasadorët Hungarisë, Dr. József Bencze e atij të Çekisë, Pavel Bilek, shefit të zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, dhe drejtorëve të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer nga Austria, Rafal Wolksi nga Polonia, Martina Pivonkova, nga Sllovakia, dhe Klára Nagy-Gery nga Hungaria.

“Në takim u diskutua për rëndësinë e këtij organizimi në promovimin e artistëve të rinj dhe thellimin e bashkëpunimit e dialogut kulturor mes shteteve të Evropës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit në takim, ministri Çeku në takim foli për rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral kulturor të vendit tonë me shtetet përkatëse të platformës dhe me rajonin e Evropës Qendrore.

PCCE u lansua në Austri, më 2001 nga gjashtë vende të Evropës Qendrore dhe objektivi kryesor është ruajtja e dialogut të ndërsjellë kulturor, sigurimi dhe mbështetja e projekteve dypalëshe dhe shumëpalëshe të fokusuara në interesat e përbashkëta dhe vlerat kulturore të Evropës Qendrore.