PHD. Unai Emery

“Good ebening” ishte ironia që bëhej me theksin e tij në Londër – sa ishte trajner i Arsenalit.
Por, gjuha angleze nuk ishte problemi i vetëm i tij.
Unai Emery nuk i kualifikoi dot “gunners” në Ligën e Kampionëve
Rezultatet i munguan dhe ia treguan derën.

Derën ia kishin treguar edhe në Paris.
Madje, aventura në krye të PSG-së i mbeti një njollë e zezë në karrierë, pasi e pësoi humbjen ndoshta më turpëruese në histori të klubit. 6-1 në “Camp Nou”.
Dy shkarkime nga dy skuadra të mëdha ia zbehën identitetin.
Ditët e bukura – dukej që kishin mbaruar për të.

Tre trofetë e fituara të Europaligës – me Sevillën mbeteshin pjesa më e pasur në CV-në e tij.
Lavdia e tij takonte të kaluarës – që ngjallte nostalgji.
Strategut spanjoll nuk po i ecte.
I duhej një “anije” e re për ta drejtuar.

Anije nuk gjeti, por ia ofruan një nëndetëse të verdhë – Villarrealin.
Përgjegjësia dhe presioni ishte i madh – pasi të dyja palët ishin në kërkim të lavdisë të humbur.
Në sezonin debutues – “El Submarino Amarillo” garonte në Europaligë – kompetcion në të cilin Emery – ka “doktoruar”.
Drejtuesit e kësaj skuadre nxorrën kuletën nga gjepi – dhe vendosën të shpenzojnë paksa.
Dani Parejo, Francis Coqeuelin, Geronimo Rulli, Etienne Capoue, Juan Foyth ishin disa nga goditjet.

Ani pse për asnjërin nuk u shpenzua ndonjë shumë astronomike – ata dhanë fryte.
Teksa, në Europaligë arritën në finale. Pas ekzekutimit të penaltive e mposhtën Manchester Unitedin.
I katërti trofe i këtij kompeticioni për Emeryn.
Sezonën në elitën e futbollit spanjoll e mbyllën në vendin e shtatë – por pak rëndësi pati kjo.
Fitimi i Europaligës i shërbeu si trampolinë për në Ligën e Kampionëve.

Në Champions – nuk ishin të mbështjellur me epitetin e favoritit.
Ama grupin e kaluan.
Në fazën e parë me elemin direkt – shorti i vuri kundër Juventusit.
“Zonja e vjetër” me shumë probleme në supe nuk i bëri dot ballë spanjollëve, të cilët triumfuan me rezultat të përgjithshëm 1-4.
Por, ani pse Villarreali e shembi murin që thuhej se nuk kishte forcë ta bënte, prapë kishte dyshime.

Ky sukses nuk iu faturua Emerys – por formës së dobët të juventinëve.
Testi i radhës doli të jetë Bayern Munchen.
Bavarezët – ani pse me luhatje të formës, ishin dhe janë në krye të Bundesligës.
Favoriti dihej.
Por, përballja e parë në “Estadio de la Ceramica” foli ndryshe.

Spanjollët ishin superiorë.
Çdo futbollist vraponte në çdo cep të fushës. Teksa, me ta jashtë vijave të bardha vraponte edhe Unai – që nuk e mban mend herën e fundit kur është ulur në stol.
Rezultati 1-0 në atë takim nuk ishte epilogu real, pasi shumë raste u shpërdoruan nga vendasit.
Për gjermanët ishte humbja e parë pas gati pesë viteve – në terrenin mysafirë.
Ndërsa, si rrallë herë Bayerni zhvilloi një takim të koncentruar në repartin defanziv dhe Robert Lewandoski ishte vetëm një turist në fushë.

Përballja në “Allianz Arena” pritej të ishte një kundërpërgjigje, por doli të jetë vetëm edhe një dëshmi se Villarreali është skuadër që nuk kapërdihet lehtë.
Gjermanët nuk arritën më shumë se një barazim 1-1.
Spanjollët e rrëmbyen biletën e gjysmëfinales dhe u kthyen në shtëpi duke festuar.

Tashmë nuk ka limite për këtë skuadër.
Synim i Emerys është veshgjata.
Kabineti i tij i trofeve ka edhe një hapësirë. /Shqip.com