Pezullohet vendimi i Qeverisë për uljen e pagave në drejtësi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ.
Gjykata më datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozueses, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 23 nëntorit mori vendim që të jua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.
“Me këtë vendim pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, kishte thënë kryeministri Kurti.
/Shqip.com