Petkoviqit nuk iu lejua hyrja në Kosovë, MPJD tregon arsyen

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se nuk e ka miratuar kërkesën e drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për të hyrë sot në Kosovë.
Arsyeja e kësaj ndalesë sipas tyre, bazohet në mosrespektimin e përsëritur nga ana e Petroviq të marrëveshjes lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë, lidhur në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Petkoviq në vazhdimësi është paralajmëruar që gjuha e përdorur nga ai bie ndesh me marrëveshjen dhe që përdorimi i përsëritur i kësaj gjuhe rrjedhimisht çon në refuzimin e kërkesave për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Qëndrimet e përsëritura të Petkoviq ndaj Republikës së Kosovës kanë karakter tejet dezinformues, propagandues dhe synojnë nxitje të urrejtjes.
Shpresojmë që në të ardhmen Petkoviq të heqë dorë nga deklarata të tilla, të cilat synojnë rrënimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Ndryshe, Petkoviq është ndaluar që të hyj sot në Kosovë.
Siç ka raportuar RTS, Petkoviq ka thënë se është e qartë se Prishtina nuk dëshiron të i normalizojnë marrëdhëniet me Beogradin pasi atij nuk ju është lejuar të hyj në Kosovë.
“E planifikova vizitën në kohë dhe në përputhje me të gjitha procedurat. Është e qartë se Prishtina nuk do normalizim të marrëdhënieve kur si kryenegociator i Beogradit, nuk më lejojnë të hyj në Kosovë. Është e qartë se Prishtina nuk do vazhdimin e marrëveshjes me Beogradin”, tha Petkoviq.
Me ndalimin e tij që të hyj në Kosovë, sipas Petkoviqit Prishtina po shkelë marrëveshjen për vizitat zyrtare.
Tutje, ai kishte shtuar se nuk do të hiqte dorë nga vizitat si dhe Prishtina nuk do ta ndalonte atë që të ju ndihmojë serbëve në Kosovë.