Lajme

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Serbi, Petar Petkoviq

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ky reagim nga ana  e Pektoviç vjen vetëm pak orë pasi Policia e Kosovës ka informuar se ka shtuar numrin e zyrtarëve policorë në veri të vendit.

Kjo sipas Policisë është bërë për të rritur sigurinë në atë pjesë të vendit.

Tensionet në veri janë rritur tash e disa ditë. Serbët po kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve në atë pjesë.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në veri.

Zgjedhjet në veri të vendit pritet të mbahen më 18 dhjetor.

/Shqip.com