Lajme

Petkoviq: Bashkësia ndërkombëtare po kërkon zgjidhje të shpejtë për çështjen e Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se komuniteti ndërkombëtar dëshiron një zgjidhje të shpejt të çështjes së Kosovës.

Sipas tij, dy emisarët, presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisës, Olaf Scholz të angazhuar për dialogun kanë propozuar një kornizë të re të bisedimeve në Bruksel.

“Bashkësia ndërkombëtare kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës dhe Metohisë, në mënyrë që ta shohin realitetin nga këndvështrimi i tyre.

Ata duan të hedhin poshtë argumentet e përdorura nga presidenti Vladimir Putin kur flet për precedentin e Kosovës. për njohjen e vendeve perëndimore, për të justifikuar veprimet e tij në Ukrainë”, tha Petkoviq.

Macron dhe Scholz u kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat, siç u tha në letër, çojnë drejt përparimit të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik”, thuhet në letër.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Propozimi ynë është, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Mirosllav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”, thuhet në letrën dërguar Kurtit dhe Vuçiqit.

Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.

Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre./Shqip.com