Përtej spektakleve të shëmtuara/ Fushata ndryshe e Dhurata Çupit si një ‘qark i shkurtër’ nga Kuvendi tek njerëzit

Në peizazhin politik shqiptar shpesh të ngurtë e monoton, ku fjalimet duken të kopjuara nga dosje të pluhurosura dhe premtimet që më së shumti mbeten të varura veçse në pankartat elektorale, shfaqet Dhurata Çupi me një fushatë që nuk po ndjek shabllonet, por po thyen disi skemat. Dhurata fushatën e ka përqendruar tek njerëzit, tek komunitetet e grupet shpesh të margjinalizuara. E kujtoni videon e saj me shenjat e bërë me komunitetin e shurdh-memecëve?! Me gjasa më njerëzorja e kësaj fushate dhe një simbol i asaj çka ajo është: zëri i të pazëvë…
Ditët e fundit nuk ka pas kohë “të marrë frymë”… Jeta ndonjëherë të përplas krejt larg planeve të tua, ndërsa fati bie ndesh me axhendën tende, qoftë kjo dhe elektorale… Dhurata Çupin VERSUS.al e takoi rastësisht pas dyerve të një spitali, i ati duhet të operohet papritur. Fushata ndal për pak, familja mban frymën. E nëse nuk je Njeri, pse i hy politikës?! Dhurata është një kandidate për deputete, atje ku shpesh ndenjëset duhet të ndahen me burrat zëmëdhenj e punëpak apo me “kërporata” që si hyjnë dalin nga Kuvendi: ushtare e barsaleta.
Në peizazhin politik shqiptar shpesh të ngurtë e monoton, ku fjalimet duken të kopjuara nga dosje të pluhurosura dhe premtimet që më së shumti mbeten të varura veçse në pankartat elektorale, shfaqet Dhurata Çupi me një fushatë që nuk po ndjek shabllonet, por po thyen disi skemat. Dhurata fushatën e ka përqendruar tek njerëzit, tek komunitetet e grupet shpesh të margjinalizuara. E kujtoni videon e saj me shenjat e bërë me komunitetin e shurdh-memecëve?! Me gjasa më njerëzorja e kësaj fushate dhe një simbol i asaj çka ajo është: zëri i të pazëvë… Ajo nuk po kandidon thjesht për të fituar një karrige në Kuvend. Ajo po rikandidon për të trazuar ujërat e ndenjura të politikës, pasi e di mirë se ku “fut ujë sistemi”: njerëzit si kapital, jo veç për fushatë…
Dhurata nga partia…
Në listat e hapura të Partisë Demokratike, Dhurata nuk është thjesht një emër. Ajo është një zë – i kthjellët, i drejtpërdrejtë dhe pa filtër. Nuk flet me teleprompter, por me zemër, si nënë, si bijë, si grua, si qytetare. Nuk sillet sipas manualit të politikanit klasik. Ajo vjen me një stil që përzien guximin me një çiltërsi të rrallë. Në vend të premtimeve të thata, ofron ide konkrete. Në vend të fjalëve boshe, ndan histori të vërteta.
Fushata e saj është ndryshe. Nuk është e mbushur me luks, por me njerëz. Nuk ka spotet e shndritshme, por ka mesazhin e qartë: politika nuk është profesion i përjetshëm, por shërbim i përkohshëm ndaj qytetarit. Në vend që të ngjitet në podiume të larta, ajo zgjedh të ulet në trotuare e kafene lagjesh, për të dëgjuar realitetin pa filtra.
Në këtë garë të listave të hapura, Dhurata nuk kërkon thjesht votën, por besimin. Ajo nuk e trajton mandatin si trofe, por si kontratë. Dhe nënshkrimi i saj është i qartë: zëri im do të jetë zëri juaj.
Nëse po kërkon një kandidaturë ndryshe mbase jo perfekte, por të vërtetë; jo të gdhendur në laboratorë politikë, por të rritur mes njerëzve, atëherë Dhurata Cupi është një emër që ja vlen të mbahet mend në këtë fushatë. Sepse ajo nuk po tenton të qëndrojë në politikë për të ndryshuar vetëm retorikën. Ajo po tenton që të ndryshojë mënyrën si bëhet politika.
FUSHATA PA POSTERA / MIRËSEVINI NË ZGJEDHJET E SHEKULLIT 21!
Dikur, fushatat zgjedhore në Shqipëri kishin aromën e ngjitësit të posterave dhe zhurmën e altoparlantëve që çirrnin lagjet me premtime bombastike. Qytetet zgjoheshin me fytyrat e kandidatëve ngjitur kudo: në shtylla, mure, autobusë. Sot? Posterat janë zëvendësuar nga postimet, mitingjet nga podcast-et, dhe sloganet nga captions 15-fjalëshe. Fushata e vitit 2025 nuk është më në rrugë me pamje të stampuara, por me duar që shtrëngohen e biseda derë me derë. Me njerëzit, ata që të kanë besuar dhe do ta bëjnë sërish. Në 11 maj, një votë bën ndryshimin.
Kjo nuk është thjesht një prirje estetike apo kursim buxheti. Është një revolucion në mënyrën se si politika komunikon. Dhe, le ta themi troç: është një ndryshim që nuk mund të injorohet.
Pse ndodhi kjo kthesë?
Sepse njerëzit kanë ndryshuar. Shqiptari i vitit 2025 nuk e merr më informacionin nga fletushkat nëpër cepa të lagjeve, por nga kontakti i drejtpërdrejtë, feedback-u i përgjatë 4 viteve e pse jo dhe nga feed-et në rrjetet tona sociale. Aty jemi të gjithë, apo jo? Askush nuk mund t’i shpëtojë digjitalizimit me mungesën apo praninë e tij në ngjarjet që na shenjojnë jetën. Votuesi i sotëm nuk pret të dëgjojë liderin në një shesh me flamuj, por kërkon një mesazh të drejtpërdrejtë, personal dhe më e rëndësishmja: të ndershëm. Në një shoqëri gjithnjë e më skeptike ndaj fasadës, politika tani duhet të rishpikë vetëveten dhe është e detyruar të zbresë nga piedestalët dhe të flasë si njeri me njeri.
Edhe Dhurata Çupi e konfirmon këtë për Versus.al. Bota e internetit është aq frenetike e lufta për tu bërë viralë aq e fortë sa prodhon dhe imazhe qesharake që u bënë kryefjalë e kësaj fushate, ku duket se premtimet kanë pak rëndësi përballë klikimeve e shikimeve të reel-save e videomesazheve…
“Fushatë të padrejtë e të pabarabartë”, e cilëson zonja Çupi gjithçka po ndodh në ditët para zgjedhjeve të 11 Majit. “Teatri” që do turma shpesh është e vështirë për tu arritur nga një zonjë në politikë, por edhe Dhurata e ka gjetur rrugën duke bërë një “qark të shkurtër” nga mendja tek zemra e njerëzve që nuk i braktisi as kur ishte në Kuvend.
Politikanët po sfidohen të jenë më kreativë, më autentikë, më të pranishëm në dialog virtual. Kjo nuk është më kohë për monologje, por për bashkëbisedim. Kandidatët që nuk dinë të flasin gjuhën e ‘të përditshmes’ së votuesve, që nuk kuptojnë ritmin dhe kërkesën për sinqeritet të brezit të ri, por edhe atij të mesëm, rrezikojnë të duken si kaseta të vjetra në një botë që “bën live” çdo gjë.
Kjo fushatë elektorale duket si prova që nuk po e fiton kush bërtet më fort, por ai që komunikon më qartë. Nuk po e fiton kush pret më shumë shirita të prerë më parë, por ata që tërheqin njerëzit drejt një tjetër politikbërjeje.
Në vitin 2025, politika nuk është më spektakël – është ‘storytelling’ me fundin që pret votuesi. Dhe votuesi është kritiku i “artit të ri modern” të rrjeteve sociale si një regjisor.
GRATË NUK JANË MË “PJESE DEKORI” – JANË ZËRI QË PO RIKONFIGURON FUSHATËN E 2025-ËS
Në zgjedhjet e 2025-ës, gratë shqiptare nuk janë më në stolin rezervë të politikës. As në fund të listave, as me rolin e heshtur të “balancës gjinore”. Janë në qendër të fushatës. Janë të zëshme, të vetëdijshme, të armatosura me dije, përvojë dhe një sens të kthjellët të realitetit që politika shpesh përpiqet ta shmangë.
Nuk janë më thjesht “gratë e partisë”, por janë gratë me zë, gratë me projekt, gratë me vizion. Në një skenë që ka qenë për dekada e dominuar nga monologët mashkullorë, ato po sjellin dialog. Dhe jo vetëm me gratë – por me gjithë shoqërinë.
Çfarë ndryshoi?
E para, gratë kanë ndaluar së pranuari “vende simbolike”. Ato po kandidojnë për të fituar, jo për të mbushur kuotat. Nuk pranojnë më të jenë vitrinë e partive – duan të jenë themeli i tyre.
E dyta, kanë kuptuar fuqinë e rrjeteve sociale për të kapërcyer filtrat, për t’u lidhur direkt me njerëzit. Fushatat e tyre nuk bazohen te emrat e mëdhenj, por te mesazhet autentike. Një reel me një grua që flet për dhunën ekonomike apo mungesën e çerdheve prek më shumë se një panel ku flitet për “zhvillim gjithëpërfshirës”.
E treta, kanë sjellë në politikë një ndjeshmëri që shpesh mungon: për të dobëtit, për të padukshmit, për ata që nuk dinë të bërtasin. Dhe e kanë bërë këtë pa rënë në grackën e “politikanes tipike”. Ato nuk kanë frikë të jenë të forta, por as të ndjeshme. Nuk kanë nevojë të kopjojnë stilin mashkullor për të qenë efektive.
E ndaj Dhuratën e shohim në terren, me buzëqeshjen dhe çiltërsinë si të një rishtareje, por me eksperiencën dhjetëra vjeçare në një politikë si kjo e jona.
Kjo është fushata ku gruaja shqiptare nuk është më spektatore: është protagoniste.
E Dhurata Çupi është padyshim një e tillë!/ Versus.al




/Shqip.com