OP-ED Analiza

Përtej moralit, çfarë mundësish ka lobimi i PD-së?

Ben Andoni
Ben Andoni

Publikuar:

Ajo që është e paqartë në “dukje” është si u arrit të realizohet kontrata e lobimit e PD-së me kompaninë amerikane “Continental” që do të kapë shifrën prej 6 milionësh në dy vjet. Nga ana tjetër, fakti se zyrtarë të saj tashmë kanë vendosur firmën tregon se ndërmarrja e tyre është e mirë-menduar. Duhet të sqarojmë se dihet deri më tashmë që kontrata është firmosur nga Flamur Noka, si përfaqësues i koalicionit “Shqipëria Madhështore”, por që paradoksalisht njerëzit e aleancës ende nuk e dinë si proces!! Këtë e tregoi pak orë më parë në një intervistë të tijën një nga eksponentët e politikës shqiptare, z. Agron Duka.

Energjia më e madhe e PD-së ka shkuar gjatë të gjithë këtyre kohëve për këtë akt, ndërkohë që publiku ka pritur se mundimi do ishte më i madh për terrenin dhe strukturat e rrënuara të saj. Kur kujton dhe e merr të mirëqenë faktin, se një pjesë e njerëzve të PD-së ankoheshin se do ta bënin fushatë me diasporën me paratë e tyre atëherë kupton të gjithë këtë paradoks që do të jetë ushqim i fushatës për Ramën në pak ditët e mbetura. Dhe, beteja e tij është me argument për moralin, lidhur me paratë e hedhura që deri tani kalojnë të gjithë lobimet e mëparshme të politikanëve tanë, përfshirë dhe socialistët dhe, na bëjnë sinqerisht qesharakë për shpenzime tej mundësive.

Deri më tani, nuk ka shembuj specifikë që përpjekje të tilla kanë rezultuar fituese për të hequr statusin non-grata. Dhe, mbi të gjitha: fuqia e angazhimeve për të hequr statusin ose sanksionet non-grata mund të jetë komplekse dhe shpesh përfshin negociata diplomatike ndërmjet qeverive. Në këtë rast, aksioni mëtohet se është i shqiptarëve “patriotë”, që mezi arritën e mblodhën në momentet më të vështira të Shqipërisë atë të tërmetit, as 1\7 e kësaj shumë. Qeveria Rama për PD-në është arsyeja e vërtetë e non-gratës së Berishës.

Duhet sqaruar se Ballkani është i mbushur me persona non-grata. Serbia, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë “krenare” me këtë listë korrupsioni dhe si rrahin gjoksin një sërë prej tyre. Madje, Kryemadhit, ish kryetares së LSI-së, nuk i bënte fare përshtypje edhe pse është në hetime. Larg terrenit shqiptar:

Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, nuk ia doli të heqë statusin e tij “non-grata” në SHBA. Në fakt, Departamenti Amerikan i Shtetit futi në listën e zezë Gruevskin dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të madh, duke përmendur abuzimin e pushtetit, përvetësimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor. Berisha ka një masë gati të tillë prej Departamentit të Shtetit, shtuar me ato të Mbretërisë së Bashkuar. Gruevski jeton në Hungari që nga viti 2018, ku iu dha azil politik në Budapest. Ai pretendon se qeveria maqedone ka lobuar në administratën amerikane për ta vendosur në listën e zezë, njësoj si Berisha për qeverinë Rama.

Pavarësisht përpjekjeve të tij, Gruevski mbetet ende i papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse nuk ka shembuj specifikë të përpjekjeve të suksesshme lobimi për të hequr statusin jo-grata, disa zhvillime të fundit tregojnë përparime në fusha komplekse dhe jo për individë si: sanksionet për punë humanitare, reformat e ndihmës së huaj dhe përpjekjet diplomatike. Tek kjo e fundit kemi përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe angazhimi me vendet e tjera, të cilat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve që çojnë në statusin non-grata. Senati i SHBA-së ka shqyrtuar legjislacionin për të mbështetur aleatët dhe për të luftuar fuqitë armiqësore, duke demonstruar rëndësinë e përpjekjeve diplomatike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por për individët mbetet realisht një udhë e gjerë dhe shumë sfiduese, e cila trand nga ana tjetër të gjithë institucionet deri në ato amerikane, ku skrupujt po bien. Kurse sa i përket Shqipërisë, strukturat e drejtësisë dhe zgjedhore janë krejtësisht të paqarta, të mefshta dhe të kapura në grackat meskine e tinzare të politikanëve shqiptarë. Në këtë rast, PD-ja me këtë kontratë të madhe ia doli të tregojë se mbetet larg parimeve morale, sak ato që mëton se do sjellë nëse vjen në fuqi pas 11 Majit.

/Shqip.com