OP-ED Analiza

Përse SHBA dërgon për herë të 6-të një Sekretar Shteti në Shqipëri?

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken
Roland Qafoku
Roland Qafoku

Publikuar:

Antony Blinken do të jetë sekretari i 6-të Amerikan i Shtetit që viziton Shqipërinë në një hark kohor prej 33 vjetësh. Sa herë që një shef diplomacie amerikane ka vënë këmbët në tokën tonë, ajo ka qenë e lidhur me një ngjarje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët po e po, por jo vetëm. Për ato që kanë bërë dhe thënë gjatë vizitave të tyre në Tiranë, janë shndërruar në lajm dite duke u futur në historinë tonë, por njëkohësisht ky lajm ka bërë xhiron e botës dhe ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit.

Kështu ndodhi më 22 qershor të vitit 1991 kur i pari, James Becker mbërriti në Tiranë gjatë kohës kur kryeministër ishte Ylli Bufi.

Becker u prit si rock star në prani të 500 mijë banorëve entuziastë të Tiranës në sheshin “Skënderbej” dhe doza e asaj pritjeje arriti kulmin kur disa të rinj ngritën në krah makinën që ai lëvizte.

Kishte vetëm 3 muaj që mes Shqipërisë dhe SHBA-së ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike pas 52 vjetësh ndërprerjeje, ndërkohë që regjimi komunist e kishte cilësuar Amerikën armikun numër një të shqiptarëve dhe xhandarin e botës. Vizita e tij tregoi vendosmërinë e SHBA për të inkurajuar vendosjen e demokracinë dhe rrëzimin e plotë të komunizmit.

Becker në fjalimin e tij tha:

“Për llogari të Presidentit Bush dhe të popullit amerikan, vij këtu sot për t’ju thënë se: Liria funksionon. Më në fund ju jeni të lirë të mendoni mendimet tuaja. Më në fund jeni të lirë të flisni atë që mendoni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë zgjedhur t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të të gjithë botës. Mirësevini në shoqërinë e burrave dhe grave të lira, ashtu siç kërkonte të ishin dhe krijuesi ynë. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.”

Kështu ndodhi më 18 shkurt të vitit 2000 kur e dyta, Madeleine Albright, mbërriti në Tiranë kur kryeministër ishte Ilir Meta duke mbështetur jo vetëm zhvillimet në Shqipëri duke e konsideruar një aleat të rëndësishëm, por veçanërisht për Kosovën e sapodalë nga lufta dhe që aspironte drejt krijimit të një shteti. Teksa iu akordua dekorata e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu” Albright tregoi se i ati i saj, Jospeh Korbel, kishte qenë ambasador i Çekosllovakisë në Shqipëri nga viti 1945 -1948. Ndërsa mbështetja e Albright ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në Kosovë ishte maksimale duke i konsideruar si faktor paqeje. Tha Albright në fjalën e saj në parlament:

“Shqipëria anuk duhet ti lejojë vetes të përdoret prej atyre që duan të krijojnë konfliket në rajon. Përpjekjet për të zgjeruar kufijtë janë ftesë për dhunë, e jo për paqe e stabilitet. Dhe sigurisht që komunitetiu ndërkombëtar nuk duhet të pranojë një Shqipëri të madhe apo Serbi të madhe”.

Kështu ndodhi më 2 maj të vitit 2003 kur i treti, Colin Powell, teksa mbërriti në Tiranë kur kryeministër ishte Ilir Meta vlerësoi Shqipërinë si aleat në koalicionin antiIrak teksa ndodhej në mes të debatit nëse SHBA duhet të bënte luftë atje apo jo. Tha Powell në fjalën e tij:

Unë falenderova kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm për mbështetjen e hapur që Shqipëria dha ndaj koalicionit të çlirimit të Irakut, veçanërisht i falënderova për kontributin e dërgimit të një kontingjenti sa do të vogël ushtarak të shqiptarëve në Irak që gjendet pra në divizionin e këmbësorisë 101 në Irak, por ishin arsye kovinence që më shtynë mua të vija në Tiranë së bashku me kolegët e mi për të nënshkruar këtu pra Kartën e Adriatikut”.

Kështu ndodhi më 1 nëntor 2012 kur e katërta, Hillary Clinton, mbërriti në Tiranë në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe deklaroi pa asnjë kompleks besnikërinë e qendrimit pranë të SHBA-së ndaj Shqipërisë.

Tha Clinton në fjalën e saj në parlament:

SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”.

Kështu ndodhi më 14 shkurt 2016 kur i pesti, John Kerry, mbërriti në Tiranë kur kryeministër ishte Edi Rama teksa këmbënguli në sfidën e sfidave të diplomacisë amerikane në Shqipëri, atë të reformës në drejtësi.

Tha John Kerry:

Reforma në Drejtësi është jetike. Shqiptarët duan gjyqtarë e prokurorë që i përmbahen ligjit e jo partisë në pushtet. E di që është e vështirë të kapësh ata që janë bërë të lumtur me procesin e shmangies së përgjegjësive që ndajnë me gjithë kombin e tyre, duke u përfshirë në një formë të aktivitetit korruptiv apo një formë tjetër”.

Por, çfarë pritet nga sekretari Antony Blinken?

Sigurisht që pikat e agjendës së tij janë disa. Por e para dhe kryesorja është situata në Kosovë. Një shtet që jo vetëm po tregon brishtësi përballë makinacioneve të Serbisë së etur për ekspasion dhe që në bashkëpunim me Rusinë po kërkojnë ta kthejë në një Ukrainë të dytë. Një situatë që vlerësohet si sfidë globale, Blinken do të tregojë mbështetjen e SHBA-së dhe për të mos lënë asnjë paqartësi edhe pse në jo pak raste kryeministri Albin Kurti ka targetuar SHBA-në si fajtore për situatën. Blinken pritet të japë mesazhe në Tiranën zyrtare që SHBA ka qenë jo vetëm autorja ekskluzive e krijimit të shtetit të Kosovës por do të mbetet mbështetësja kryesore e garancisë së të ardhmes së këtij shteti. Dhe në Tiranë, ai do të kërkojë nga klasa politike shqiptare ndikimin te homologët e Kosovës.

Por me interes pritet të jenë edhe mesazhet që Blinken do të japë ekskluzivisht për Shqipërinë. Duhet thënë se SHBA ka patur dhe ka vetëm një interes për vendin dhe shtetin tonë: Stabilitet. Dhe ky stabilitet krijohet me një demokraci të fortë dhe një drejtësi të fortë. Në fakt, mungesa e një ambasadori amerikan në Tiranë që nga korriku i vitit të kaluar ka krijuar përshtypjen e një lloj indiference të diplomacisë amerikane. Fjala indiferencë mund të tregohet edhe me faktin që një sekretar shteti vjen në Tiranë pas 8 viteve nga paraardhësi John Kerri. Në pozitën e një arbitri, ambasador amerikan ka luajtur përherë rolin dhe autoritetin për të qenë më aktiv dhe më imponues në politikën shqiptare. Fjala “stabilitet” kur përdoret për ndonjë situatë në Kosovë duket sikur favorizon qeverinë e Shqipërisë duke krijuar perceptimin se SHBA nuk janë shumë të interesuara shumë për nivelin e demokracisë dhe shtetin e të drejtës. Por në fakt nuk është kështu. Pritet që SHBA të japë sinjale kritike ndaj qeverisë për jo pak probleme të shfaqura, veçanërisht vitet e fundit. Demokracia në Shqipëri ka bërë hapa pas dhe mazhoranca që zotëron superpushtet po lëngon nga konsumimi dhe një mori skandalesh. Jo më kot Edi Rama, si asnjëherë në vizita të këtij lloji bëri parapritë duke publikuar një status të gjatë të shtunën rreth orës 15.00. enkas për këtë vizitën. Duke përdorur 652 fjalë ai shfaqi një parathënie të çështjeve që do të trajtojë dhe bisedojë me Blinken. Dhe përveç shprehjes me fjali të gjata të miqësisë pa rezerva ndaj SHBA, ajo që ra në sy ishin fjalët që pranonin edhe defektet e qeverisë, tejet e rrallë kjo për kryeministrin. Shkroi Rama në status:

“Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, nxisin transformimet në çdo sektor, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm”.

Se treti, raporti i SHBA-së me opozitën shqiptare aktualisht është në nivelet më të ulta. Janë vite të tëra përpjekjeje të diplomacisë amerikane për të mbështetur pjesën zyrtare të Partisë Demokratike, ose të disa forcave të tjera politike. Megjithatë, fakti real është që Shqipëria është me opozitën më të dobët që nga rrëzimi i komunizmit. Shpallja non grata e Sali Berishës afër dy vite më parë tashmë është kthyer në një histori të arkivuar. I paditur në një gjykatë të Parisit nga Sali Berisha, as që mendohet që Antony Blinken të japë sinjale tërheqjeje dhe të mbështesë si Berishën dhe Rithemelimin. Gjasat janë që në Tiranë të mos e përmendë fare atë histori duke konfirmuar vendimin e tij të marrë më 22 korrik 2022. Por ajo që pritet me interes është që Blinken të shprehë mbështetjen për parti, grupime dhe individë politikë për të forcuar rolin e opozitës në Shqipëri.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, Sekretari Blinken pritet të shprehë edhe një herë mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi. Nëse lajmi që Blinken do të takojë Altin Dumanin do të rezultojë i vërtetë, atëherë ai moment do të jetë edhe një mesazh i fortë që pastrimin nga korrupsioni i klasës politike shqiptare do ta bëjë përfundimisht vetëm SPAK. Por kjo do të jetë mesazh edhe për mazhorancën për t’i thënë stop nismës për kontrollin e kësaj strukture.

Ka shumë arsye për të shprehur respekt për mbërritjen në Tiranë të sekretarit Blinken më 14 shkurt.

Por sikur të ishte vetëm arsyeja e fundit, shqiptarët mbarë do të uronin me zemër: Mirësevjen zoti Blinken!

/Shqip.com