Kulturë

Përmes fotografisë, po ndihmon trajtimin e fëmijëve me kancer

Përmes artit, për vite me radhë njerëzit ndihmojnë, duan e shërojnë.

Kështu, duke u bërë një me të tjerët, zë vend dashamirësia e altruizmi, për t’i dhënë shpresë jete dikujt që tashmë po sfidohet nga vetë ajo.

Në të njëjtën mënyrë, po vepron edhe Liridon Shala nga Prizreni.

Pasionin për fotografinë, Liridoni tani po e shfrytëzon për t’u dalë në ndihmë fëmijëve të cilët po përballën me kancer.

Për këtë, ai ka hapur një ekspozitë me fotografi nga bota e egër në Prizren, mjetet e së cilave do të shkojnë për blerjen e medikamenteve.

 “Tashmë kam kontaktuar me organizatën “Care for Kosovo Kids” te cilët kujdesën për fëmijët me kancer, fondet nga shitjet e fotografive do te derdhen ne xhirollogarinë e tyre, me pas do te blihen medikamente te nevojshme”.

“Gjithsejtë janë 30 fotografi në shitje, ku 10 prej tyre tashmë janë shitur. Shitja do të jetë e hapur deri më 31 janar”, ka thënë Shala për SHQIP.com.

Profesioni i tij si farmacist, e ka bërë të bashkëndjejë me këta fëmijë, duke parë koston e lartë për trajtimin e kancerit.

“Duke parë rastet e shumta në rrjete sociale të cilët kërkojnë ndihmë, nga aspekti profesional duke e ditur se çfarë kosto ka kjo sëmundje për trajtim e saj, atëherë mendova që vendi më i duhur për ti derdhur mjetet nga shitjet e fotografive do të jetë kjo kategori, gjithmonë duke shpresuar që do ti ndihmojnë sa do pak drejt shërimit të plotë të tyre”, tha tutje ai.

Megjithëse qëllimi i ekspozitës është që të mblidhen sa më shumë fonde, Liridoni thotë se interesimi i shoqërisë nuk është se po i arrin pritshmëritë e tij.

“Ndoshta fotografitë nga bota egër nuk janë mjafte tërheqëse për blerësit potencial të fotografisë, kjo mund te ketë ndikuar”, ka shtuar ai.

Kjo ekspozitë, është e “zhytur”, në botën e egër të trojeve shqiptare, ku përveç që do t’u dalë në ndihmë fëmijëve, ka edhe një mesazh tjetër- mbrojtjen dhe rëndësinë që ka fauna.

“Ekspozita përmban fotografi te realizuara nga bota e egër ne trojet shqiptare. Kryesisht ka shpendë me që tek ne dominojnë me shume për nga llojet dhe numri.”, ka shtuar Shala.

Kurse, ai thotë se nuk ka pasur përkrahje nga komuna e Prizrenit për hapjen e ekspozitës, ndërkaq të gjitha i ka realizuar me fonde personale.

E për Liridonin nuk është kjo iniciativa e parë e organizuar.

“Kam organizuar dhe iniciativa tjera te ngjashme, qoftë për trajtime shëndetësor po ashtu dhe ushqime te ndryshme për familje në nevojë”, tregon ai.

Ekspozita është realizuar në Prizren dhe të gjitha fondet e mbledhura do t’u shkojnë në ndihmë fëmijëve që po përballen me kancer./ SHQIP.com