Lajme Botë

Përlotet kryerabini i Shqipërisë: Do lë 11 fëmijët dhe do nisem për luftë të mbroj Izraelin!

Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan deklaroi se do të niset për të marrë pjesë në luftën në Izrael. Në një intervistë për Euronews Albania, moderatorja e pyeti se çfarë do të ndodhte me fëmijët e tij, 3 prej të cilëve ishin të pranishëm në studio duke pritur të atin, moment ky kur kryerabini u përlot.

“Është gjë e mirë që e sollët në vëmendje. Këtu janë 3 nga 11 fëmijët e mi. Ne na pëlqen jeta, të kemi familje të mëdha, të ndajmë dashuri, të shpërndajmë dritë. Secili prej fëmijëve të mi do të rritet që të bëhet si unë. Një qenie njerëzore që do të shpërndajë dashuri, që do të shpërndajë dritë. Kam 7 djem dhe 4 vajza dhe midis tyre kam një prej djemve me nevoja të veçanta. E di që është e vështirë të shkosh dhe unë e di se çfarë mund të ndodhë, por megjithatë e dini çfarë? Unë e di që kam 11 fëmijë që të cilët synojnë të njëjtën jetë që jam duke bërë unë prandaj jam i fortë. Njësoj si unë janë të gjithë njerëzit e Izraelit,” – u shpreh Kaplan.

Luftimet mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit vijojnë në ditën e katërt. Izraeli ka shpallur gjendjen e luftës dhe ka mobilizuar 300 mijë rezervistë. Ushtria izraelite prej dy ditësh ka rrethuar Gazën në tentativë për të ndërhyrë ushtarakisht, teksa nga ajri vijojnë bombardimet. Bilanci deri tani i luftimeve është mbi 900 të vrarë në Izrael, 704 në Gaza, përfshirë edhe 143 fëmijë, ndërsa mijëra është numri i të plagosurve.

/Shqip.com