Kulturë

Përkujtohet ideologu i Rilindjes Kombëtare, Naum Veqilharxhi

Naum Veqilharxhi
Naum Veqilharxhi

Më 6 dhjetor 1797, lindi Naum Veqilharxhi. Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion për t’u vendosur me familjen në njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Që në rini, Naumi, i frymëzuar  nga idetë atdhetare arriti të bëhej njëri nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë. Ai u bë një ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i shkollës shqipe.

Iu deshën 20 vite për të përpiluar alfabetin e veçantë në gjuhën amtare dhe për të shtypur “Evëtarin”, që i hapi rrugën e shkrimit abetareve të mëvonshme nga Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Parashqevi Qirjazi dhe Aleksandër Xhuvani, raporton atsh.

Me një sistem shkrimi prej 33 shkronjash, alfabeti i Veqilharxhit u përshtat me dialektet, me fonetikën dhe me gramatikën e gjuhës shqipe, si edhe ndikoi në përhapjen e shkrimit të saj.

/Shqip.com