Kulturë

FOTO / Përfundon restaurimi i Kishës së “Shën Kollit”

Drtk Gjirokastër ka përfunduar ndërhyrjen për restaurimin e çatisë së Kishës së “Shën Kollit” në fshatin Saraqinishtë (Monument Kulture, Kategoria I) e cila kishte probleme me trarët , mahitë si dhe thyerje e rrëshqitje të rrasës së gurit, të cilat u zëvendësuan me të reja duke eliminuar kështu lagështinë në pjesën e brendshme të saj.

Kjo ndërhyrje u realizua në tre faza në bashkëpunim me banorët e fshatit.

Kisha e “Shën Kollit” qëndron në majën e një kodre përballë qytetit antik të Antigonesë dhe në fundin e fshatit Saraqinishtë. Në anën lindore të saj terreni pëson një rënie të konsiderueshme prandaj dhe ka mure të larta rrethuese që janë njëkohësisht dhe mbajtëse.

Kisha përbëhet nga narteksi, naosi, dhe eksonarteksi ose hajati i hapur.

Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 8,0×6,8m.

Në anën perëndimore naosi lidhet me narteksin, i cili nga ndryshimi i teknikës së ndërtimit dhe formulimit arkitektonik, dëshmohet i mëvonshëm. Ai përmban dy radhë kollonash druri që mbajnë strukturën e çatisë.

Narteksi paraprihet në anën perëndimore nga hajati i hapur me një radhë kollonash në ballë.

Hajati mbulohet me çati njëujëse, më të ulët nga ajo e narteksit.

Kisha është ndërtuar me gurë shtufi, pa ndonjë përpunim të veçantë, por muratura është e rrafshuar mirë me llaç e gëlqere. /atsh

/Shqip.com